Draft ligji për dy gjuhësinë i BDI-së dhe i LSDM-së, të formohet institucioni mbikëqyrës i respektimit të dygjuhësisë
“Министерство за Правда, ose në shqip Ministria e Drejtësisë, në këtë mënyrë do të shkruajë në të gjitha institucionet me zbatimin e ligjit për dygjuhësi. E tërë këtë punë do ta bën Agjencia e re që do të bëjë përkthim dhe mbikëqyrje të gabimeve drejtshkrimore.”
Tabela në dy gjuhë në të gjitha institucionet shtetërore, është vetëm njëri nga segmentet që parasheh propozim-ligji i pajtuar mes partive politike e që është kusht për formimin e qeverisë.
Profesori universitar, Osman Kadriu i konsultuar nga partitë rreth kushtetutshmërisë për propozime të caktuara, thotë se propozimi për dygjuhësinë parasheh formimin e një agjencie për gjuhë, i cili do ta mbikëqyrë zbatimin e ligjit.
“Parashikohet Inspektorat në kuadër të Agjencisë që do të ketë kompetenca që ta ndjek se si do të zbatohet gjuha shqipe nga institucionet. Inspektorati do të ketë në kompetencë të ushtron edhe fletë paraqitje për gjobë në qoftë se vërehet se institucionet nuk i përmbahen ligjit në fjalë kur punohet për zbatimin e gjuhës shqipe përdorimin e saj, zbatimi të jetë i rregullt i plotë, ligjor, të respekton rregullat gramatikore e kështu me radhë”, u shpreh Osman Kadriu.
Profesori universitar i katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe, Ismet Osmani thotë se personat kompetentë që do të punësohen në këtë institucion, duhet të jenë njohësit e gjuhës, përkthyes me përvojë paraprake dhe profesorët universitar.
Sipas tij, problem do të jetë të gjinden gjithë ata ekspertë, për ta plotësuar këtë parametër.
“Mendoj se në bazë të këtij ligji duhet pasur edhe një mekanizëm mbrojtës të gjuhës ose siç e quajmë ne krijimin e një institucioni i quajtur redaktori gjuhësor për zbatimin e drejtë e të folurit dhe të shkruar të gjuhës shqipe”, tha Ismet Osmani.
Përveç emrave të institucioneve, sipas propozim ligjit për përdorimin e gjuhëve, parashihet që edhe seancat e ardhshme parlamentare të drejtohen edhe në shqip, në mbledhjet e qeverisë të flitet shqip, institucionet të komunikojnë pa pengesë edhe në shqip, por edhe që shenjat e komunikacionit të jenë në dy gjuhë, raporton TV21./21Media