A do të mund të arrijnë deputetët e “Srpskas” nga Beogradi në Prishtinë për 2 orë?! (FOTO)

Qeveria e Serbisë duket se ka vendosur t’ia bëjë edhe një gjysmë bllokadë zgjedhjes së Ramush Haradinajt nesër kryeministër.

E ashtuquajtura Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, që drejtohet nga Marko Gjuriq, ka vendosur që pikërisht nesër t’i ftojë në takim deputetët e Listës Serbe dhe kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiq.

Takimi, siç njofton kjo Zyre do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Serbisë në Beograd.

Për të mos mbetur me kaq, takimi është caktuar të mbahet në orën 13:00, edhe pse paraprakisht u tha se do të jetë në orën 10 e 30, shkruan lajmi.net.

Nga Zyra për Kosovën po ashtu theksohet se konferenca për media e Gjuriqit dhe Rakiqit do të mbahet në orën 14:00.

Mirëpo, nëse e marrin parasysh se Beogradi është gati 500 kilometra nga Prishtina, atëherë shtrohet pyetja se a do të mund të arrijnë në orën 16:00 në Kuvendin e Kosovës 10 deputetët serbë?

Të kujtojmë se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur sot që seanca për votimin e Qeverisë Haradinaj të mbahet nesër në orën 16:00.

E ata që kanë udhëtuar nga Prishtina për në Beograd e dinë se duhen minimalisht 4 orë që të shkohet nga kryeqyteti kosovar në kryeqytetin serb. /Lajmi.net/

Google Map. Matje e distancës nga kufiri në Merdare deri në Beograd


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu