Partitë në pushtet, zyrtarisht nuk kanë më shumicën prej 61 deputetëve në Kuvend. Pasi rezultoi pozitiv në testin e Kovid 19, deputeti Arben Ziberi ndodhet në izolim, ndërsa deputetja e LSDM-së, Jagoda Shahpanska u zgjodh ministër dhe në vend të saj ende nuk është verifikuar mandati i kandidatit me radhë nga e njëjta listë. Kështu koalicioni LSDM-Bashkimi Demokrati ka ngelur me dy deputetë më pak me çka praktikisht i pamundësohet edhe zgjedhja e deputetit të 61-të, por edhe miratimi i shumë vendimeve të tjera. Por, situata e krijuar në Kuvend nuk paraqet problem për kryeministrin Zoran Zaev. Përveç shumicës së thjeshtë, ai është i bindur se në legjislativ kanë madje 65 deputetë, por nuk saktësoi se për cilët janë deputetët tjerë që ai shpreson se mund t’i japin mbështetje.
Zoran Zaev, Kryeministër
“Me Bashkimin Demokratik së bashku, e gjithë ajo që është biseduar me parlamentin, nga gjithësej 120 deputetët, besoj se kemi shumicën e nevojshme për punë, më së paku 65 deputetë, për qeverinë votuan 62 deputetë, ku Shahpanskës pas votimit të qeverisë i përfundoi funksioni dhe vijon tjetri nga lista. Besoj se në disa ditët e ardhshme parlamenti do të bëjë verifikimin e mandatit të deputetit që hyn në listë. Kam për qëllim që disa deputetëve t’u ofroj vende të caktuara udhëheqëse në shtet, nga ana ime dhe nga ana e qeverisë, gjithësesi edhe ministrat kompetentë që emërohen. Kështu që në mënyrë të vazhdueshme, në pajtueshmëri me ligjin, ata që vijojnë futen në listë, besoj se stabiliteti i shumicës parlamentare, nëpërmjet politikave të mira, dialogut, mund vetëm të rritet”
Një moment tjetër që shkaktoi huti rreth stabilitetit të shumicës parlamentare ishte edhe evidentimi i deputetit të Bashkimit Demokratik, Ismail Jahovski, si deputet i pavarur në faqen zyrtare të Kuvendit. Por, Izet Mexhiti tha sot se bëhet fjalë për lëshim teknik dhe se Jahovski mbetet pjesë e grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik.
Izet Mexhiti, Bashkimi Demokratik
“Nuk ka dal, domethënë është gabimt eknik në vebfaqen e Parlamentit. Zotëri Jahovski është pjesë e grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik, ai është edhe I ulur aty me ne dhe në koordinim të përditshëm me ne”
Stabiliteti i shumicës parlamentare, dallimi i ngushtë me opozitën në numrin e mandateve në Kuvend ka qenë temë debati në opinion që pas përfundimit të zgjedhjeve të 15 korrikut. Por, si kryeministri Zaev ashtu dhe partitë e koalicionit janë shprehur optimist se edhe një Qeveri e tillë mund të funksionojë dhe të përfundojë mandate të plotë katërvjeçar. Për dallim prej tyre, partitë opozitare kanë paralajmëruar se kjo shumicë dhe kjo qeveri nuk do të ketë jetëgjatësi dhe se do të rënohet për një kohë të shkurtër.










