Zv/presidentja e Asamblesë Parlamentare të NATO, Mimi Kodheli e ftuar në rubrikën “Opinion” ka folur për tensionet Kosovë-Serbi.
Kodheli siguron se nuk ka për të patur konflikt pasi KFOR-i është aty për të siguruar kufijtë dhe paqen.
Lidhur me ultimatumin e Vuçiç, Kodheli thotë se askush nuk i vendos kushte NATO-s teksa deputetja e PS i jep të drejtë Kosovës në këtë histori shtuar dhe reciprocitetin e targave.
‘’Besoj se vizita e kryeministrit Rama ka qenë sa e domosdoshme dhe mesazhe të rëndësishme. Qëndrimi i Shqipërisë është ai, Kosova është në anën e drejtë të historisë. Nuk i futemi marrëveshjeve, pse është filluar me targat e jo me diçka tjetër. Nuk besoj që jemi këtu për gjëra të vogla. Jemi për gjëra madhore. Gjëja më madhore është paqja dhe stabiliteti në rajon dhe njohja e Kosovës. Ekziston prej dy dekadash si i tillë. Ka nevojë ende për pak kohë, për të paqtuar e pleqëruar gjithë mbarëvajtjen e punëve në Ballkan, duhet durim, por dhe njerëz me dëshirë të mirë. Do të jetë shumë dimensionale kjo. Do të vazhdojë të jetë pjesë e diskutimeve tona politike dhe të SHBA, BE, rajon. Duhet të jemi të kujdesshëm ndaj një procesi aspak të thjeshtë, por të mundur për të ndodhur. Besoj se do të vijë dita për të folur për projekte të përbashkëta. Kam patur një bisedë parmbrëmë me Presidentin e Asamblesë së NATO dhe biseda ka qenë sa intriguese dhe e rëndësishme. Mendoj se do të vijojmë t’i mbetemi dialogut me prezencën e BE dhe SHBA, si garancia e vetme. NATO ka në Prishtinë të vendosur misionin më të gjatë në histori KFOR. E ka më të gjatë se misioni në Afganistan.
Me largimin e forcave të NATO-s nga Afganistani, Aleanca mori mësim të madh. Për të treguar që kjo Aleancë mbetet lidership duhet ta tregojë këtë edhe me misionin që ka, misionin e suksesshëm. S’mund të rrijë askush nga kushdo të thotë që unë jap ultimatum KFOR-it apo NATO-s. NATO-s nuk i jepet ultimatum. Besoj se këto kanë qenë për konsume të brendshme, s’kanë të bëjnë me realitetin. KFOR është aty për të siguruar kufijtë dhe paqen. S’ka konflikt. KFOR siguron këtë pa bërë asnjë veprim.
Nuk besoj se ka gabim Kosova, nuk mendoj që ka gabim, duhet të ishte respektuar kohë më parë. Kur flitet për një reciprocitet, pse duhet të kemi reaksion, kur për reciprocitet është folur dhe dakordësuar kohë më parë. A duhet të ishte bërë në një moment tjetër? Nuk mund ta them këtë gjë. Mendoj që nëpërmjet ngjarjeve është treguar që politika serbe nuk është ajo çka thuhet. Brenda ka tjetër qasje, nuk është ajo çfarë tregohet. Kur ngacmohen me të drejtë kanë tjetër reaksion, shëtitje me tanke dhe mjete ajri, prezencë të ambasadorëve që nuk përcjellin asnjë mesazh, nuk e ndihmojnë establishmentin. Ballkani i Hapur ka ndikim pozitiv në këtë histori. Diskutimi politik dhe ekonomik dhe shtyrja e këtyre dy shtyllave në marrëdhëniet ndërballkanike e ndihmojnë, nuk përplasin. Sa më shumë eksperiencë rajonale, bashkëpunim, aq më mirë do të jetë. Duhët kombinim i këtyre që produkti të jetë histori suksesi.‘’– tha Kodheli.










