“Tentuan të më vrisnin, por dështuan”, presidenti iranian: Izraeli u përpoq të bombardonte zonën ku unë po mbaja një takim

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha në një intervistë të publikuar në mediat sociale të hënën se Izraeli, i cili muajin e kaluar zhvilloi një luftë 12-ditore me Iranin, u përpoq ta vriste atë.

“Po, ata u përpoqën. Ata vepruan në përputhje me rrethanat, por dështuan”, tha Pezheskian duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit amerikan, Tucker Carlson.

“Nuk ishin Shtetet e Bashkuara që qëndronin pas atentatit ndaj meje. Ishte Izraeli. Isha në një takim, ata u përpoqën të bombardonin zonën ku po zhvillohej takimi”, tha ai, pa specifikuar nëse atentati që ai zbuloi ndodhi gjatë luftës me Izraelin.

Në një tjetër intervistë, Pezheskian theksoi se vendi i tij “nuk ka problem” me rifillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht bombardimeve amerikane të disa objekteve bërthamore gjatë luftës midis Republikës Islamike dhe Izraelit në qershor.

“Ne nuk shohim ndonjë problem me rifillimin e negociatave”, tha Pezeshkian. Megjithatë, ai shtoi se ai pyet veten se si Irani mund t’u “besonte” sërish Shteteve të Bashkuara.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu