Tetova përfiton 34 projekte nga Qeveria

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar sot nënshkrimin e marrëveshjes me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për realizimin e 34 projekteve infrastrukturore dhe kapitale që do t’i shërbejnë drejtpërdrejt qytetarëve të Tetovës.

Në kuadër të marrëveshjes, Tetova përfiton projekte për rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla dhe investime të tjera publike, që do të ndryshojnë fytyrën e qytetit dhe do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.

“Këto janë projekte konkrete, jo premtime boshe. Janë hapa të vërtetë drejt një Tetove moderne, funksionale dhe dinjitoze. Po punojmë me fakte dhe rezultate. Tetova nuk do të mbetet më peng i premtimeve të pambajtura”, ka theksuar Kasami.

Sipas tij, kjo është dëshmi se Qeveria e drejtuar nga VLEN po e trajton Tetovën me seriozitet dhe përgjegjësi institucionale, duke e përfshirë në proceset zhvillimore dhe duke e kthyer në prioritet kombëtar.

“34 projekte për Tetovën, 34 hapa drejt zhvillimit që VLEN”, përfundon njoftimi i Kasamit, që e konsideron këtë marrëveshje si një pikë kthese për të ardhmen e qytetit.

Ky është vetëm njëri nga 829 projektet që Qeveria ka miratuar dhe nënshkruar sot me komunat në të gjithë vendin, me vlerë totale prej rreth 15 miliardë denarësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu