Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi sot mbylli vitin 2018 duke premtuar se viti 2019 do të jetë edhe vit i investimeve. Sipas saj komuna do të shlyjë 51% të boxheve ndaj kompanive dhe do të nis ndërtimi i bulevardit Bllagoja Toska një rrugë e cila deri tani ka qenë pengesë për komunikacion. GJithashtu kryetarja Arifi premtoi se do të hapet edhe rruga deri Banka Botërore miratoi projektin për vazhdimin e bulevardit të rrugës Industriale në gjatësi prej 670 metra, që do të depërtojë përmes Qendrës sportive deri tek Kazerma e Qytetit.
“Viti që vjen padyshim që do ta gjejë Komunën e Tetovës më të relaksuar në kuptim të borxhit të trashëguar, dhe shumë më efikase në realizimin e projekteve që janë në të mirën e qytetarëve. Vendimi i Qeverisë për të shlyer 51% të borxheve të komunave, është një mundësi të cilën asnjëherë nuk e patëm, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi të cilën duhet me shumë seriozitet ta kuptojmë.
Komuna e Tetovës do tentojë edhe më tej që përmes zvogëlimit të obligimeve afatgjate të ndikojë pozitivisht në aftësinë e saj për kredimarrje, të rris përqindjen e të hyrave të realizuara për banor si dhe të përforcojë kapacitetet vetanake për administrim me resurset finansiare, me qëllim të zvogëlimit të varësisë nga transferet e pushtetit qendror.
Duke besuar në vlerat e qytetarisë aktive dhe të një shoqërie të shëndoshë e cila vet vendos fatin dhe rrugën e sajë, këtë vit promovuam konceptin e “Ditëve të Hapura” në Komunën e Tetovës. Qytetarët për të parën herë, kishin mundësinë të dëgjojnë propozimet e sektorëve komunal, dhe njëkohësisht të parashtrojnë kërkesat e tyre, të cilat ne u munduam ti transformojmë në projekte reale dhe zëra buxhetor për vitin 2019!
Këtë praktikë të transparencës institucionale dhe vendimarrjes aktive të qytetarit, ne do ta aplikojmë dhe avancojmë edhe më tutje, shumë herë brenda vitit, për të siguruar një vlerë dhe moment shumë të dëshiruar të praktikës demokratike, përmes të cilës politikat komunale do të reflektojnë nevojat dhe prioritetet reale të qytetarit, të cilit ne i shërbejmë.
Viti 2019 do ta gjejë Tetovën me Bulevarde dhe rrugë të reja. Banka Botërore miratoi projektin për vazhdimin e bulevardit të rrugës Industriale në gjatësi prej 670 metra, që do të depërtojë përmes Qendrës sportive deri tek Kazerma e Qytetit për të shkarkuar sadopak trafikun e ngarkuar brenda qytetit. Gjitashtu do të vazhdojmë depërtimin e bulevardit Blagoja Toska për të cilin në fazën e parë jemi në përfundim të procesit të eksproprimit.
Për funksionalizimin e Ndërmarrjes Komunale për Transport Publik kemi aplikuar në programin MSIP-2, përmes të cilit do të furnizojmë 6 autobusë me standarde bashkëkohore ekologjike. Kështu Tetova përfundimisht do të bëhet me transport të organizuar publik, që padyshim do të reduktojë efektet negative të ndotjes së ajrit ambiental dhe trafikun e stërngarkuar në qytet, duke ofruar kështu një alternativë qarkullimi ekonomikisht të volitshme për të gjithë qytetarët.
NPK Tetova vitin që vjen, do të fillojë ndërtimin e Qendrës së mbyllur për seleksionim sekondar të mbeturinave, që pritet rrisë rentabilitetin ekonomik të ndërmarrjes si dhe kualitetin e shërbimeve komunale për qytetarët!
Këtë vit filluam edhe iniciativën për hartimin e planit gjeneral urbanistik, që do të jetë udhërrëfyesi i zhvillimit dhe zgjërimit urban të qytetit për 50 vitet e ardhëshme!
Përpos këtyre projekte shumë vitale për Tetovën, jemi në përfundim të projektit ideor për gasifikim, ku në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për gjithsej 25 km rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020!
Në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve të Tetovës dëshiroj të falënderoj të gjithë sektorët e administratës së komunës së Tetovës për punën e palodhshme, vullnetin dhe përkushtimin për t’i realizuar këto rezultate. Falënderoj këshillin komunal, udhëheqësinë dhe punëtorët e Ndërmarrjeve publike dhe Njësisë Teritoriale Kundër Zjarrit, që për çdo ditë punojnë që ky qytet ta ketë hijen dhe bukurinë që e meriton!
Tetova është qyteti që duam, përmes të cilit mund të njohim vetveten, vetëm duke punuar për të bashkë, dhe me shumë dashuri e përkushtim. Qyteti në të cilin sot jetojmë betejën e përditshmërisë, dhe ëndërrojmë për ardhmërinë e fëmijëve tanë!” u shpreh Teuta Arifi.