Thaçi dikur thoshte se gjithë shqiptarët janë më Hillary’n, tash krejt me Trumpin (VIDEO)

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale në SHBA, kishte shfaqur hapur mbështetjen e tij Hillary Clintonin, duke thënë se edhe të gjithë shqiptarët e mbështesin atë në garën për presidente.

Në një intervistë në Klan Kosova me datë 13 tetor 2016, Thaçi e kishte krahasuar madje Donald Trumpin edhe me Boris Jelcinin e Sadam Huseinin.

Sipas Thaçit fakti që Trump i kishte kërkuar falje Serbisë për bombardimet e NATO-së tregon se ai është kundër lirisë së Kosovës.

“Pas deklaratës së z. Trump sa i përket bombardimeve të NATO-së. Unë nuk njihem personalisht me Trump. Ajo që dua të them është që të jesh kundër atij intervenimi humanitar të udhëhequr nga SHBA-ja dhe NATO, do të thotë të jesh kundër lirisë së një vendi dhe ndërprerjes së gjenocidit dhe spastrimit etnik. Është një qëndrim që e kanë pasur më herët Jelcini, apo Sadami. Nga ato që i kam dëgjuar më herët, nuk befasohem. Por ajo që është mirë është që demokracia në botë është në favor të mbështetjes së ish-sekretares Clinton, prandaj më vjen mirë që gjithë shqiptarët që kudo që jetojnë, sot janë në mbështetje të Hillary Clinton për presidente të re” kishte deklaruar Thaçi.

Por nuk kanë kaluar as dy vjet plotë dhe qëndrimi i tij karshi Donald Trumpit ka ndryshuar për 360 shkallë.

Tashmë presidenti Thaçi mezi pret që të takohet me të, dhe thotë se shqiptarët janë populli më pro-Trumpist.

“Unë pres me padurim që ta takojë. Raportet e Kosovës me administratën e Trumpit janë të shkëlqyera. Sot qytetarët e Republikës së Kosovës, i pëlqeu apo si pëlqeu dikujt, shqiptarët janë qytetarët me pro-Trumpist. Mund të them lirisht njëjtë si në SHBA sepse e duan Amerikën”, ka thënë Thaçi në një intervistë për Vizion Plus me 20 shtator 2018./GazetaExpress/

VIDEO:


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu