Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kryeministri në largim, Albin Kurti me vendimin e mbrëmshëm bëri hapa në kundërshtim me SHBA-në dhe BE-në.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se Kurti po i bën përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra.
”Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”, ka thënë ai.
Shkrimi i plotë:
“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme. Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada. Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës.”