Thirrja e Thaçit dhe Vuçiqit për ndërkombëtarët: Na ndihmoni për zgjidhjen historike

Forumi Evropian në Alpbach të Austrisë nxori në pah qëndrimet e përafruara të Thaçit dhe Vuçiqit për shkëmbimin e territoreve, si mundësi për zgjidhjen përfundimtare Kosovë-Serbi.

Presidenti i Kosovës dhe homologu i tij serb kërkuan nga bashkësia ndërkombëtare përkrahje që kjo zgjidhje të arrihet sa më shpejt, duke garantuar kështu paqe dhe stabilitet.

Hashim Thaçi në këtë forum theksoi se askush nuk duhet të frikësohet nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton lajmi.net.

“Dialogu ka hyrë në fazën finale dhe askush nuk duhet të trembet nga marrëveshja e paqes, njohja reciproke dio të kishte ndikim pozitiv në rajon. Duam të arrijmë marrëveshje”, tha presidenti i Kosovës.

Përkrahje nga ndërkombëtarët kërkoi edhe Aleksandar Vuçiq.

“Tani është koha për marrëveshje përfundimtare. Ne kemi një dritare të ngushtë, dhe kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë atyhre që e shohin Ballkanin në BE”, tha Vuçiq.

Në këtë forum gjithashtu ishte hera e parë që Bashkimi Evropian në mënyrë zyrtare, la të hapur mundësinë e shkëmbimit të territoreve.

Komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn tha se çdo marrëveshja që arrihet me pëlqimin e Kosovës dhe Serbisë është e pranueshme.

“Ne që jemi jashtë, nuk do të ishte e mençur që të intervenojmë në një formë ose në një tjetër. Ne duhet t’ua lëmë atyre por duhet të ju japim çdo mbështetje për ta gjetur një zgjidhje”, ka thënë komisioneri Hahn.

Ndryshe Thaçi e Vuçiq do të takohen më 7 shtator në Bruksel, për ta vazhduar dialogun. /Lajmi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu