Tomovski: 104 automjete të Qeverisë do të shiten pas zgjedhjeve

Drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta pranë Qeverisë, Ivica Tomovski informoi se pas zgjedhjeve lokale do të dalin në ankand 104 automjete të Qeverisë, përcjell TV21.

“Nga numri total prej rreth 7.500 automjetesh zyrtare, që përmendet në opinion, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë jashtë përdorimit dhe do të nxirren nga funksioni. Ftoj institucionet që të bëjnë racionalizim të përdorimit të automjeteve, duke i reduktuar në minimum, aq sa është e nevojshme për funksionimin normal të tyre. Si Qeveri, përmes Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, ne kemi ndërmarrë tashmë hapin e parë. Nga gjithsej 220 automjete me të cilat disponojmë, 104 do të nxirren nga përdorimi dhe do të shiten menjëherë pas zgjedhjeve”, deklaroi Tomovski në Sitel.

Ai sqaroi se vlera fillestare e këtyre automjeteve është rreth 1.600.000 denarë. Të ardhurat nga shitja do të derdhen në buxhetin e shtetit, ndërsa më pas do të vendoset për destinimin e tyre.

“Racionalizimi është i domosdoshëm. Përdorimi i automjeteve zyrtare duhet të reduktohet në minimum, vetëm aq sa është i nevojshëm për funksionimin e pandërprerë të institucioneve. Sipas vlerësimeve tona, shteti realisht nuk ka nevojë për më shumë se 2.000 automjete aktive”, shtoi Tomovski.

Ai kujtoi gjithashtu se qytetarët ende mund të raportojnë dyshime për keqpërdorimin e automjeteve zyrtare, ndërsa institucionet janë të obliguara të veprojnë në përputhje me ligjin. Në luftën kundër abuzimeve, Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta bashkëpunon në mënyrë të rregullt e transparente me Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, prej nga merr udhëzime për veprim dhe raporton për gjendjen e automjeteve.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu