Trajneri i Barcelonës në telashe të mëdha: Ja për çka bëhet fjalë

Sulmi i Barcelonës ka marrë një tjetër goditje të madhe sidomos pas dëmtimit të fundit të Martin Braithwaite. Sulmuesi kërkoi që të zëvendësohej gjatë fitores së klubit katalanas ndaj Getafes pasi pësoi një dëmtim në gjurin e tij, i cili tani mund të jetë më i keq seç mendohej.

Reprezentuesi danez doli nga fusha në minutën e 74 por më pas udhëtoi me ekipin e tij kombëtar. Braithwaite nuk arriti të rikuperohej për të luajtur për vendin e tij dhe u kthye në Barcelonë për të vazhduar të vlerësohej përpara ndeshjeve të ardhshme në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.

Sipas gazetës spanjolle “Sport”, sulmuesi danez tani mund të qëndrojë jashtë fushës për tre deri në katër muaj. Lojtari mund t’i nënshtrohet një operacioni dhe rreth kësaj çështje klubi katalanas pritet të dal me një njoftim gjatë ditës së sotme, përcjellë KosovaPress.

Mungesa afatgjatë e Braithwaite do ta lërë trajnerin e Barcelonës Ronald Koeman pa shumë alternativa në sulm, veçanërisht pasi ai tashmë është pa Sergio Agueron, Ansu Fatin dhe Ousmane Dembelen. Luuk de Jong është sulmuesi i vetëm qëndror me Memphis Depay dhe të riun Yusuf Demir si partnerë të tij në sulm.

Aguero dhe Dembele nuk pritet të kthehen në aksion të paktën deri në muajin tetor, ndërsa Fati është rikthyer në stërvitje, por edhe më tutje nuk është i gatshëm për ndeshjet e ardhshme. Koeman do të shpresojë që Depay dhe mesfushori sulmues Philippe Coutinho të kontribuojnë në fazën ofanzive kur të përballen me gjigantët gjermanë të Bundesligës, Bayern Munihun, në Ligën e Kampionëve të martën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu