Tri ndryshimet e mëdha të Albin Kurtit brenda pak muajve

Mbrëmë u kthye nga vizita që pati në Mynih, ku ndër takime të shumta, e kishte edhe një me Presidentin Serb, Aleksandar Vucic, madje në një tavolinë ballë për ballë, Albin Kurti dikur thoshte se nuk do të ulet asnjëherë në një të tillë. Ditën e sotme e nisi me ngritjen e flamurit të Kosovës i cili dikur i dukej lara-lara, për nder të 12 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, për të shkuar më vonë për homazhe tek varri i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, veprimtarinë e të cilit e kritikonte mjaft shumë.

Takimi me Vucicin

Gjatë tërë fushatës zgjedhore, por edhe më herët, Kurti kishte thënë se nuk pranon të takohet me Presidentin Serb, Aleksandar Vucic.
Mirëpo në dhjetor të 2019’ës, saktësisht një muaj para se të merrte postin e Kryeministrit, Kurti nuk mohoi ndonjë takim të mundshëm me Ministrin e Informimit të Slobodan Milosevic.

“Ne kemi qenë në anë të ndryshme, ai një ministër, unë protestues, ai një ministër, unë një i burgosur politik, ai një ministër, unë përsëri protestues”, ka thënë Kurti, duke mos mohuar ndonjë takim të mundshëm.

Kurti u ul në një tavolinë me Vucicin. Madje, kjo ndodhi vetëm 14 ditë pasi u bë Kryeministër i Republikës së Kosovës, në Konferencën e Mynihut.

Ky takim mes tyre ku ndodheshin edhe shumë përfaqësues europianë, u bë me dyer të mbyllura, mirëpo dikush nxorri incizimin e fjalimit të Kurtit.

Kjo në fakt u kritikua shumë duke marrë parasysh se rregullat ndalojnë shpërndarjen e fjalës që thuhet në Konferencë, e kjo u konsiderua si një lojë tjetër e tij në vazhdën e manipulimit të opinionit me qasje populiste.

Pranimi i simboleve të Republikës së Kosovës

Me sa duket, Kryeministri i ri i vendit e ka kuptuar se të drejtosh një vend duhet edhe t’i pranosh simbolet e tij.

Albin Kurti si lider i VV’së bashkë me aktivistët e tij nuk i pranuan asnjëherë simbolet e Kosovës. Madje vetë ai flamurin e kishte quajtur lara-lara.

I pyetur nga analistët gjatë fushatës se a beson që flamuri i Kosovës është ende ‘lara-lara’, një term ‘i rëndë’ për një simbol të shtetit, Kurti u përgjigj duke thënë ‘Po lara-lara është, çka t’i bëj tash!’.
Megjithatë, gjëja e parë që Kryeministri e bëri sot për 12 vjetorin e shpalljes së pavarësisë ka përcjellur ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë, gjë që u bë nga garda e FSK’së.

Teksa në të gjitha ceremonitë ku po merr pjesë, madje edhe në atë ku e mori detyrën, Kurti u përcoll me himnin e Kosovës, për të cilin dikur nuk ngritej as në këmbë.

Vizita e sotme tek varri i Presidentit Historik, Ibrahim Rugova

Qasja e Albin Kurti dhe e VV’së ndaj figurës së presidentit historik, Ibrahim Rugova, ndër vite ka qenë shumë kritike, duke mos pranuar as të vizitojnë varrin e tij.
Madje, ai më parë kishte deklaruar se nuk e bën një veprim të tillë edhe për shkak të kërkesave të LDK’së, e sipas tij kjo do të tregonte një ‘gjest artificial’.

“Nuk kam shkuar të varri për shkak se njerëzit e LDK-së, që më së paku kisha dashtë me ma kërku, insistonin që unë të shkoj tek varri i tij. Ai është një gjest simbolik që unë nuk dua të ia jap vlerën artificiale. Njerëzit e LDK-së e bënin këtë veprim që ma pamundësonin atë vizitë”, kishte thënë Kurti.

Sidoqoftë, ai sot për herë të parë e vizitoi vendin ku prehet presidenti Rugova, madje këtë herë edhe duke e pranuar se ai ka qenë më insistues për liri e pavarësi të vendit.

“Në një ditë si kjo në vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe institucionale, angazhimin politik për liri dhe pavarësi. U prehtë i qetë dhe në paqe”, ka deklaruar Kurti.
14 ditë në pushtet, por ndryshime të mëdha po vijnë nga Albin Kurti, të cilat në opinion po konsiderohen më shumë si populizëm.

Se çfarë pritet të sjellë Kryeministri ditëve në vazhdim mbetet të shihet, ndërsa puna e tij si shef i Qeverisë do të vlerësohet pas 100 ditëve në ‘mbajtje të timonit’.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu