Trump dhe avokatja e tij gjobiten me 1 milion dollarë për akuzat ndaj Hillary Clinton

Një gjykatës federal ka urdhëruar Donald Trump dhe një nga avokatët e tij që të paguajnë rreth 1 milion dollarë gjobë për akuzat ndaj Hillary Clinton, Komitetit Kombëtar Demokratik dhe armiq të tjerë të perceptuar të ish-presidentit për përfshirje në shantazh dhe komplot kundër tij, sipas The Guardian.

Gjykata ka kërkuara që Trump, i cili është i përfshirë në një sërë hetimesh civile dhe penale, duke përfshirë hetimin për mbajtjen e tij të dokumenteve të klasifikuara të paguajë një milion dollarë.

Në një vendim të ashpër, gjykatësi Donald Middlebrooks, dënoi Trump dhe avokaten e tij, Alina Habba, për abuzim me sistemin ligjor.

“Ne jemi përballur me një padi që nuk duhej të ishte ngritur kurrë, e cila ishte krejtësisht joserioze, si faktikisht ashtu edhe ligjërisht,” shkroi Middlebrooks në urdhrin prej 46 faqesh për vendosjen e një gjobë prej 937,989.39 dollarësh kundër Trump dhe Habba.

Padia, e ngritur fillimisht nga Trump në mars 2022, pretendonte se Clinton dhe Komiteti Kombëtar Demokratik komplotuan me zyrtarë të lartë të FBI-së dhe të tjerë përpara zgjedhjeve të 2016-ës për të gjetur lidhje midis fushatës së Trump dhe Rusisë në mënyrë që ta dëmtonin atë politikisht.

Gjykatësi vuri në dukje për shembull se pretendimet e Trump se ish-drejtori i FBI-së, James Comey komplotoi me Clinton për ta ndjekur penalisht, ishin të gabuara pasi Trump nuk u ndoq kurrë penalisht, ndërsa një komplot i tillë ishte i papranueshëm pasi Comey kishte të ngjarë të dëmtonte fushatën e Clinton-it në vitin 2016 duke rihapur hetimin për emailet e saj.

Middlebrooks shqyrtoi padi të tjera në dukje të motivuara politikisht të ngritura nga Trump dhe tha se të gjitha ato përfshinin retorikën provokuese, sulmet ndaj kundërshtarëve politikë dhe, zakonisht, mungesën e analizës ligjore.

Trump dhe Habba, si dhe firma e saj ligjore Habba, Madaio and Associates janë bashkërisht përgjegjës për të paguar gjobën prej 1 milion dollarësh.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu