Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e quajti “plotësisht të çmendur” presidentin rus, Vlladimir Putin, pas një sërë sulmesh vdekjeprurëse ruse në Ukrainë, dhe paralajmëroi se nëse ai përpiqet të pushtojë tërë Ukrainën, kjo do të çojë në “rënien e Rusisë”.
Këto ishin deklaratat më të ashpra që Trump ka bërë ndonjëherë publikisht ndaj liderit të Kremlinit.
“Kam pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë me Vlladimir Putinin, por diçka ka ndodhur me të. Ai është bërë KREJTËSISHT I ÇMENDUR!” shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social. “Ai po vret njerëz pa nevojë – dhe nuk po flas vetëm për ushtarët. Raketat dhe dronët po godasin qytetet ukrainase pa asnjë arsye”, shtoi Trump.
“Gjithmonë kam thënë se ai e do tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj – dhe ndoshta kjo po del të jetë e vërtetë – por nëse e bën, kjo do ta çojë Rusinë në rënie!”. Trump tha se do të shqyrtonte “absolutisht” vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë për të shtyrë përpara bisedimet e paqes, ndonëse nuk dha hollësi.