Presidenti amerikan Donald Trump e ka njoftuar kryeministrin irakian Mustafa Al-Kadhimi, i cili gjendet për vizitë zyrtare në SHBA, për angazhimin e tij për tërheqjen e shpejtë të forcave të koalicionit ndërkombëtar nga Iraku brenda tre viteve, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne jemi tërhequr ndjeshëm nga Iraku dhe shumë pak ushtarë kanë mbetur”, ka thënë Trump, sipas Agjencisë Irakiane të Lajmeve.
“Al-Kadhmi është një njeri me të cilin kam marrëdhënie shumë të mira”, shtoi ai.
Trump theksoi “nevojën për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Irakut në përputhje me vendimet që lidhen me legjislacionin dhe autoritetet ekzekutive të Irakut”.
Agjencia Irakiane e Lajmeve tha se Washingtoni konfirmoi mbështetjen e tij për planet e al-Kadhimit për të reformuar ekonominë lokale.
Bagdadi dhe Washingtoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të mbështetur sektorin e shëndetit në Irak.
Al-Kadhimi gjendet për një vizitë zyrtare në SHBA, duke udhëhequr një delegacion qeveritar të nivelit të lartë. Ky është udhëtimi i parë i kryeministrit irakian në SHBA që kur ai mori detyrën në maj.
Koalicioni i udhëhequr nga SHBA u formua në vitin 2014 për të luftuar organizatën terroriste DEASH, e cila në atë kohë kontrollonte një të tretën e territorit të Irakut.
Koalicioni është i vendosur në baza ushtarake të shpërndara në Irakun verior, perëndimor dhe atë qendror.
Me mbështetjen e koalicionit, Bagdadi shpalli në fund të vitit 2017 fitoren ndaj DEASH-it, duke kthyer të gjitha territoret që DEASH kishte kontrolluar.










