Administrata e Donald Trump ka diskutuar mundësinë e ndihmës ndaj Iranit për të pasur qasje në deri në 30 miliardë dollarë për të ndërtuar një program bërthamor që prodhon energji civile.
Kjo do të bëhej duke lehtësuar sanksionet dhe duke liruar miliarda dollarë nga fondet e kufizuara iraniane.
Dhe të gjitha këto janë pjesë e një përpjekjeje në rritje për ta rikthyer Teheranin në tryezën e negociatave, kanë thënë katër burime të njohura me çështjen.
Kështu shkruan CNN, sipas të cilit medium, aktorë kryesorë nga SHBA-ja dhe Lindja e Mesme kanë folur me iranianët prapa skenave edhe mes sulmeve të shumta ushtarake në Iran dhe Izrael gjatë dy javëve të fundit, thanë burimet.
Dhe këto diskutime kanë vazhduar këtë javë pasi u arrit një marrëveshje armëpushimi, thekson CNN.
Në këtë drejtim, zyrtarët e administratës Trump kanë thënë se janë paraqitur disa propozime.
Ato janë paraprake dhe në zhvillim e sipër me një të panegociueshme: pasurim zero iranian të uraniumit, për të cilin Irani ka thënë vazhdimisht se i nevojitet.
Por të paktën një draft paraprak propozimi, i përshkruar për CNN nga dy burime, përfshin disa stimuj për Iranin.
Disa detaje u sqaruan në një takim sekret, që zgjati disa orë, midis të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe partnerëve të Gjirit në Shtëpinë e Bardhë të premten e kaluar, një ditë para sulmeve ushtarake amerikane kundër Iranit, thanë për CNN dy burime të njohura me takimin.
Ndër kushtet që po diskutohen, të cilat nuk janë raportuar më parë, është një investim i vlerësuar prej 20-30 miliardë dollarësh në një program të ri bërthamor iranian pa pasurim që do të përdoret për qëllime civile të energjisë, thanë për CNN zyrtarë të administratës Trump dhe burime të njohura me propozimin.
Një zyrtar këmbënguli se paratë nuk do të vinin direkt nga SHBA-të, të cilat preferojnë që partnerët e tyre arabë të paguajnë faturën.
Siç thuhet më tej, investimet në objektet e energjisë bërthamore të Iranit janë diskutuar në raundet e mëparshme të bisedimeve bërthamore në muajt e fundit.
“SHBA-të janë të gatshme të udhëheqin këto bisedime” me Iranin, tha zyrtari i administratës Trump për CNN. “Dhe dikush do të duhet të paguajë për ndërtimin e programit bërthamor, por ne nuk do ta bëjmë këtë angazhim”.