Trump: Putini më ka zhgënjyer, me të vërtetë më ka zhgënjyer

Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, në ditën e dytë të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me nikoqirin e tij, kryeministrin britanik Kir Starmer, në të cilën të dy udhëheqësit vlerësuan se të dy vendet kanë “përshkuar një rrugë të gjatë” në marrëdhënien e tyre të veçantë dhe se tani e kanë rinovuar atë për një epokë të re.

Gjatë bisedimeve dypalëshe, Trampi dhe Starmer nënshkruan sot një marrëveshje investimi në teknologji, e cila parashikon dhjetëra miliardë dollarë investime në të dyja anët e Atlantikut.

Starmer fillimisht tha se gjatë bisedimeve u ngritën çështjet e forcimit të mbrojtjes, mbështetjes shtesë për Ukrainën dhe “shtimit me vendosmëri të presionit ndaj Putinit për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje të qëndrueshme”.

Trampi përsëriti se qëllimi i tij është të ndalojë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, duke pranuar se fillimisht mendoi se do të ishte “më e lehtë” falë marrëdhënies së tij me Vladimir Putinin.

“Por ai më zhgënjeu. Ai më zhgënjeu vërtet”, tha Trampi.

Më pas ai tha se do të “shihte se si do të zhvillohej gjithçka” dhe shtoi se besonte se do të arrihej një marrëveshje midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse “asnjëher nuk dihet në luftë”.

“Ndodhin gjëra krejtësisht të kundërta me atë që mendoni, mendonit se do të ishte e lehtë ose e vështirë, dhe rezulton e kundërta”, tha Tramp.

I pyetur nëse kishte ardhur koha për të ushtruar presion ndaj Putinit për ta frikësuar, presidenti amerikan u përgjigj shkurt “Po”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu