Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka konfirmuar ditën e djeshme se lideri i Koresë së Veriut është gjallë dhe mirë me shëndet. Trump ka publikuar në “Twitter” fotot e mediave lokale që tregonin Kim duke prerë shiritin e kuq në një fabrikë plehrash.
“Unë jam i lumtur që e shikoj të rikthehet dhe që është mirë”, shkroi presidenti i SHBA-ve.
Kjo ishte shfaqja e parë e Kim Jong Un në publik pas një mungese tre javore dhe spekulimeve të shumta për shëndetin e tij. “CNN” ka komunikuar me Shtëpinë e Bardhë për të konfirmuar nëse fotot e liderit të Koresë së Veriut të publikuara në mediat lokale ishin apo jo origjinale.
Një zyrtar amerikan ka thënë se nga analizat e shumta të shërbimeve të inteligjencës ka rezultuar se fotot e publikuara ditën e 1 majit janë të ligjshme. Gjithashtu një këshilltar presidencial i Koresë së Jugut, Moon Chung-in, ka thënë për “CNN” se lideri i Koresë së Veriut është gjallë dhe mirë me shëndet, pavarësisht spekulimeve.











