Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi sot se së shpejti mund ta shpallë ngushticën e Hormuzit si “territor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke pretenduar se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë ushtarak mbi rrugën ujore me rëndësi strategjike gjatë luftës me Iranin.
“Pasi të mbarojmë me Iranin, i cili u mund shumë keq, mund ta shpall shumë shpejt ngushticën e Hormuzit si territor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” tha Trump gjatë një fjalimi në Qendrën e Trajnimit dhe Inteligjencës “David S. Mack” në shtetin amerikan të Nju Jorkut, transmetoi “Fox News”.
Presidenti amerikan tha gjithashtu se e ka përdorur ushtrinë “pak më shumë sesa ka dashur”, por vlerësoi se presioni mbi Teheranin është i nevojshëm për të parandaluar regjimin iranian që të pajiset me armë bërthamore.
“Ne nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore,” tha Trump.
Në një intervistë për “Fox News” më herët gjatë ditës, Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të fortë mbi ngushticën e Hormuzit, duke lavdëruar atë që e përshkroi si një bllokadë prej “muri çeliku” dhe duke e paralajmëruar Iranin që të mos ndërmarrë sulme të ja reja.
“Ne e kontrollojmë plotësisht, e zotërojmë, fjalë për fjalë e zotërojmë ngushticën e Hormuzit,” u shpreh Trump.
Trump tha se bllokada i kushton Teheranit “qindra milionë dollarë çdo ditë” dhe se sanksionet e gjera të SHBA-së po ushtrojnë gjithashtu presion mbi regjimin iranian./INA/










