Trump thotë se është gati të “tërhiqet” nga bisedimet Ukrainë-Rusi nëse “nuk arrihet përparim”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se është gati të “tërhiqet” nga bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, nëse nuk ka përparim.

Siç raporton CNN, Trump deklaroi se e pyeti udhëheqësin rus Vladimir Putin gjatë bisedës së tyre telefonike dyorëshe, se kur do të “përfundonte gjakderdhja” në Ukrainë, transmeton Telegrafi.

“Unë thashë, kur do t’i japim fund kësaj gjakderdhjeje, kësaj masakre? Është një masakër dhe unë besoj se ai dëshiron ta përfundojë atë”, shtoi presidenti amerikan.

Gjithashtu theksoi se nëse beson se nuk mund të ndihmojë, do të “tërhiqet” nga bisedimet, duke shtuar se “ego shumë të mëdha” janë të përfshira këtu.

“Po ju them, ego të mëdha janë të përfshira, por mendoj se diçka do të ndodhë. Dhe nëse nuk ndodh, unë thjesht tërhiqem dhe ata do të duhet të vazhdojnë”, shtoi Trump.

Kur u pyet nëse kërkoi të takohej me Putinin gjatë bisedës së tyre, Trump u përgjigj se “foli me të për këtë”.

Trump la të kuptohej se ai dhe Putini do të duhej të takoheshin drejtpërdrejt për t’i dhënë fund luftës.

“Sigurisht që po. Fola me të për këtë”, përmendi Trump.

Përveç kësaj, Trump tha se “është bërë njëfarë përparimi” nga biseda me Putinin. /Telegraf


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu