Trumpi flet sot me Putinin për paqen në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin të hënën për paqen në Ukrainë, pasi liderët evropianë kërkuan që Kremlini të pranojë një armëpushim të menjëhershëm për të ndalur konfliktin më vdekjeprurës në rajon që nga Lufta e Dytë Botërore.

Putini ka dërguar mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar konfrontimin më të rëndë midis Rusisë dhe Perëndimit që nga kriza e raketave Kubane e vitit 1962, raporton Reuters.

Trump, i cili thotë se dëshiron të mbahet mend si një paqebërës, ka bërë vazhdimisht thirrje për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, të cilën administrata e tij e konsideron si një luftë ndërmjetëse midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.

Nën presionin e Trumpit, delegatët nga vendet ndërluftuese janë takuar javën e kaluar në Stamboll për herë të parë që nga marsi 2022, pasi Putini propozoi bisedime të drejtpërdrejta dhe evropianët dhe Ukraina kërkuan një armëpushim të menjëhershëm.

“Shpresojmë se do të jetë një ditë produktive, do të ndodhë një armëpushim dhe kjo luftë shumë e dhunshme, një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, do të përfundojë”, ka shkruar Trumpi në rrjetin e tij social “Truth Social”.

Trumpi, i cili ka thënë se përparimi në paqe nuk ka gjasa të ndodhë derisa ai dhe Putini të takohen, ka thënë se do të zhvillojë një bisedë telefonike me Putinin në orën 14:00 me kohën tonë, të hënën.

Trump, administrata e të cilit e ka bërë të qartë se Rusia mund të përballet me sanksione shtesë nëse nuk i merr seriozisht bisedimet e paqes, ka thënë se do të fliste gjithashtu me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe anëtarë të ndryshëm të NATO-s.

Putin, forcat e të cilit kontrollojnë një të pestën e Ukrainës dhe po përparojnë, ka qëndruar i vendosur në kushtet e tij për t’i dhënë fund luftës, pavarësisht presionit publik dhe privat nga Trumpi dhe paralajmërimeve të përsëritura nga fuqitë evropiane.

Të dielën, Rusia ka nisur sulmin e saj më të madh me dron në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Në qershor 2024, Putini ka thënë se Ukraina duhet të heqë dorë zyrtarisht nga ambiciet e saj për anëtarësim në NATO dhe të tërheqë trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të Ukrainës që Rusia pretendon.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu