Pavarësisht numrit të viteve që mund të kenë kaluar, shumë prej nesh e kanë akoma të shenjuar në kujtesë mbrëmjen e maturës. Një ndër mbrëmjet më të veçantë që mund të përjetojë një i ri, e re ku gërshetohen emocionet, kujtimet, frika për të ardhmen, ndërgjegjësimi që një jetë e re fillon dhe duhet të braktisin përgjithmonë bangat e shkollës së mesme. Vitet e fundit, mbrëmja e maturës është bërë festa ndoshta ‘’më cool’’ mes të rinjve, duke u përpjekur të bëjnë gjëra gjithmonë e më të veçanta.
Makina luksoze, veshje ekstravagante, idera nga më të çmendura, gjithçka për të qenë në qendër të vëmendjes. Por, mesa duket një maturante nga shkolla e mesme ‘’Havzi Nela’’ në Kukës ka gjetur idenë më interesante për t’u paraqitur në mbrëmjën e maturës. E veshur me veshjen tradicionale të qytetit të verilindjes, bukuroshja ka në krah shoqëruesin më simpatik, gjyshin e saj. Të kapur krah për krahu ata kanë bërë ecjen tradicionale në mes të qyetit duke shkaktuar eufori dhe duartrokitje mes të pranishmëve.











