Turqi, arrestohen 198 të dyshuar lidhur me FETO-n

Forcat turke të sigurisë në të gjithë vendin arrestuan 198 të dyshuar për lidhjet e tyre të pretenduara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas grusht shtetit të mposhtur të vitit 2016, theksuan sot burime të sigurisë. Prokurorët në provincën perëndimore të Izmirit lëshuan urdhër-arreste për 304 të dyshuar, përfshirë 295 pjesëtarë të personelit në detyrë të Forcave të Armatosura Turke, tha burimi në kushte anonimiteti.

Të dyshuarit akuzohen për komunikim përmes telefonit me “imamë të fshehtë” të cilët janë anëtarë të vjetër të FETO-s. Forcat e policisë dhe xhandarmërisë arrestuan të dyshuarit njëkohësisht në 50 provinca gjatë operacioneve me bazë në Izmir. FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gülen orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur të 15 korrikut të vitit 2016 i cili la 251 persona të martirizuar dhe gati 2.200 të plagosur.

Ankaraja po ashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor. Që nga përpjekja për grusht shteti, dhjetëra mijëra të dyshuar të FETO-s janë arrestuar, përfshirë shumë në forcat e armatosura, policinë, sistemin gjyqësor dhe sektorin e arsimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu