Turqi-Greqi, përplasje për detin: Dy vendet fqinj akuzojnë njëri-tjetrin për zgjerimin e ujërave territoriale në Egje

Ankaraja dhe Athina i janë rikthyer retorikës së luftës. Ministri i Jashtëm turk Davut Çavushollu tha sot se Turqia nuk do të lejojë zgjerimin e ujërave territoriale greke.

Ai përsëriti një vendim te parlamentit turk të vitit 1995 që autorizon veprime ushtarake për të mbrojtur interesat shtetërore nëse Athina zgjeron territoret e saj në Egje.

“Ne nuk do të lejojmë zgjerimin e ujërave territoriale greke as me një milje në Egje, e lëre më 12. Ne po paralajmërojmë Greqinë edhe një herë. Mos ndiqni heroizmin e rremë duke u besuar atyre që krehin kurrizin tuaj. Mos kërkoni aventurizëm. Nuk do të përfundojë mirë për ju”, tha DAVUT ÇAVUSHOLLU – MINISTRI I JASHTËM TURK.

Komentet e Çavushollu erdhën pasi Athina ka në plan të zgjerojë ujërat territoriale rreth ishullit të Kretës me 12 milje detare.

Por i menjëhershëm ishte reagimi nga pala greke. Athina zyrtare përmes përfaqësuesit të qeverisë iu përgjigj deklaratave të Çavushollu.

“Qeveria greke qeveris ekskluzivisht duke pasur parasysh të drejtën ndërkombëtare dhe interesat kombëtare. Taktika e kërcënimeve dhe e provokimeve, në të cilat angazhohet Turqia, është absolutisht pa rrugëdalje, pasi Greqia nuk është as e frikësuar dhe as e terrorizuar. Do të ishte e dobishme që zyrtarët turq të reflektonin për ngërçin dhe të mos vazhdonin në të njëjtën rrugë edhe në vitin e ri.”, tha YIANNIS OIKONOMOU- PËRFAQËSUES I QEVERISË GREKE.

Përplasja mes dy vendeve është historike, por çështja e përcaktimit të kufijve detarë shpesh ka shtuar tensionet. Gjithashtu Ankaraja e akuzon Athinën për militarizim të 12 ishujve statusi i të cilëve është zgjidhur me Traktatin e Lozanës./VizionPlus


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu