Turqia kremton 98-vjetorin e ditës së Republikës, ambasadori Yörük: Shqipëria zë një vend special për ne, lidhjet u forcuan pas tërmetit dhe Pandemisë

Më 29 tetor të vitit 1923, Mustafa Kemal Atatürk zyrtarisht shpalli emrin e kombit dhe statusin e vendit si republikë. Që atëherë, Turqia feston Ditën e Republikës. 98-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë u kremtua në Tiranë këtë te premte.

Ambasada turke organizoi një pritje me personalitete nga jeta publike. Në të morën pjesë ambasadorja amerikane Yuri Kim, kryebashkiaku Veliaj, ministra të kabinetit qeveritar, miq e të ftuar të tjerë. Ambasadori i Turqisë Murat Ahmet Yörük theksoi gjatë fjalës se Shqipëria zë një vend shumë special për Turqinë dhe se marrëdhënia mes dy vendeve u forcua edhe me tepër pas tërmetit dhe Pandemisë. Përmendi ndërtimin nga themelet të 520 banesave në Laç si dhe ndërtimin e spitalit të Fierit në vetëm 68 ditë.

Pas premtimit që presidenti Erdogan i dha kryeministrit Rama spitali rajonal i Fierit u ndërtua në vetëm 68 ditë, sot vëmë re se mjekët turq po u përcjellin eksperiencën e tyre mjekëve shqiptarë në këtë spital. Është një shembull konkret i ndihmës humanitare që ne japim në nivel ndërkombëtar, po ashtu duke ndjekur linjën e instruksioneve të presidentit tonë Erdogan është dhe ndërtimi i 520 shtëpive pas tërmetit të 2019. Ndërtimi i shtëpive është pothuajse drejt përfundimit.

Një kapitull i ri ky në jetët e qytetarëve laçianë që po bëhet realitet me ndihmën e Turqisë. Ne jemi gjithashtu krenarë për sasinë dhe kualitetin e investimeve turke në Shqipëri që fokusohet tek shërbimet që prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve shqiptarë. Si investitori më i madh në Shqipëri, Turqia do të vijojë të mbështesë kërkesën e qeverisë shqiptare për të përmirësuar jetën dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare”,-u shpreh Murat Ahmet Yörük, ambasadori i Turqisë në Shqipëri.

Të pranishmit shijuan gatimet e shefes së famshme të kuzhinës Ebru Baybara e cila shërbeu disa pjata nga libri me receta e zonjës Emine Erdogan, bashkëshortes së presidentit turk Regep Taip Erdogan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu