Turqia nis tanket drejt Sirisë, avionët rusë i bëjnë “pritë”

Turqia është duke dërguar një numër të madh ushtarësh dhe mjetesh të rënda ushtarake në kufi me Sirinë në kuadër të një përgatitjeje për të ndërhyrë sërish me ushtri në zona të tjera të veriut të Sirisë.

“Milliyet” raporton se një numër i madh tankesh dhe mjetesh të blinduara janë pozicionuar tashmë në kufi me Sirinë duke pritur urdhrin e komandantëve për të ndërhyrë, megjithatë përballë shihet një problem shumë i madh për Turqinë.

Njëkohësisht, në zonë ka filluar bombardimi i forcave rebele nga aviacioni rus dhe forcat e presidentit Bashar al Asad duke rrezikuar një katastrofë humanitare në qytetin e Idlibit.

Mediat turke raportojnë se disa avionë rusë mbajnë nën bombardim zona të tëra përreth Idlibit ku janë pozicionuar forcat rrebele të mbështetura nga Turqia.

Në kushtet kur Turqia kërkon të ndërhyjë me ushtri në Siri, ndërsa aviacioni rus vijon bombardimet, situata kthehet mjaft e rrezikshme për të dyja ushtritë. Ky shqetësim është dhënë edhe nga mediat turke edhe pse Rusia dhe Turqia tashmë shihen si aleatë në rajon duke ngjallur reagime të forta në Perëndim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu