Turqia prodhon anijet patrulluese të Shqipërisë

Kompania e inxhinierisë “Guzuyilmaz Muhendislik”, themeluar në vitin 1996 në rrethin Çigli të provincës Izmir, siguron kontribut edhe për ekonominë turke me anijet që prodhon, por edhe për industrinë e mbrojtjes.

Gjithashtu kompania që ka ndërtuar edhe anijet në inventarin e Policisë së Turqisë dhe që ka dërguar anije në shumë vende të botës, përfshi këtu Rusinë e Nigerinë, po përgatitet që të kryejë eksport në Shqipëri.

Policia e Shqipërisë hapi një tender në kuadër të Projektit të Menaxhimit Efektiv të Kufijve të Gjelbër dhe Blu të Evropës, i cili financohet nga Bashkimi Evropian, ku garuan po ashtu kompani nga Holanda, Norvegjia dhe Italia dhe në të cilin kompania turke mori pikë të plota nga dosja teknike.

Në kuadër të projektit, në Izmir ka filluar ndërtimi i anijes me material alumini, me gjatësi 15 metra, si dhe i anijeve me fiberglas, me gjatësi 10 metra, të cilat do të përdoren në kontroll dhe patrullim. Anijet do të dalin për patrullim në det në mars të vitit të ardhshëm dhe do t’u dorëzohen zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë në Portin e Durrësit.

Do të sigurohen rreth 3 milionë dollarë hyrje valutore

Ozgur Inam, nëndrejtori i përgjithshëm i “Guzuyilmaz Muhendislik”, theksoi për Agjencinë Anadolli (AA) se eksportojnë anije jashtë vendit nën markën “Izmir Shipyard”.

Inam shpjegoi se kryejnë prodhim tregtar prej 26 vitesh dhe gjithashtu prodhim për industrinë e mbrojtjes.

Pasi vuri në pah se së fundmi kanë realizuar marrëveshje me Shqipërinë, nëndrejtori i përgjithshëm i “Guzuyilmaz Muhendislik” vijoi me këto fjalë: “Ishte një tender shumë konkurrues. U gjendëm në mesin e kompanive evropiane. Ishte një krenari edhe për vendin tonë, edhe për kompaninë tonë.”

Ai tha se anijet që do të eksportohen, do të jenë flota e parë detare e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë. “Aktualisht janë 5 anije. Këto janë të njëjtat me anijet patrulluese që përdoren aktualisht në Izmir, Antalie dhe Stamboll. Shqipëria është vend mik dhe vëlla i yni. Na zgjodhën ne, sepse i besuan anijes, produktit që përdor policia turke. Planifikojmë që anijet të zbresin në det në muajin mars (2022). Anijet do të sigurojnë gjithsej rreth 3 milionë dollarë hyrje valutore për vendin tonë”, shtoi Inam.

Mjet pa pilot edhe në det

Duke bërë të ditur se kompania e tyre ka eksportuar anije edhe për Forcat Speciale të Rusisë, Ozgur Inam theksoi se kanë nënshkruar marrëveshje për eksport edhe me Nigerinë, ndërsa shtoi se këto janë referenca për punë të reja.

“Me ASELSAN-in kemi prodhuar anije autonome dhe pa pilot. Këto kanë hyrë në inventar. Po ashtu kryejmë prodhim edhe për ROKETSAN-in. Kam besim të plotë se suksesin që kemi arritur tek mjetet pa pilot në fushën e aviacionit, do ta arrijmë edhe në detari. Ne jemi një nga 5 vendet prodhuese në botë të anijeve me aftësi edhe në tufë, edhe autonome, edhe pa pilot. Për këtë çështje ka një vullnet shumë serioz”, u shpreh Inam. / AA


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu