Në aksionin e mbrëmshëm të Byrosë për Siguri Publike janë arrestuar persona, mes të cilëve edhe Bujar Dardhishta, ish-drejtor i Drejtorisë së Librave Amë, kuadër i BDI-së. Këtë për mediat e konfirmoi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili mori pjesë në promovimin e një centrali fotovoltaik të vendosur në Qendrën për Trajnim të MPB-së – donacion i OKTA-s.
“MPB gjatë mbrëmjes së djeshme, mëngjesin e sotëm dhe gjatë ditës së sotme, po vepron në aksion të koordinuar, në suaza të së cilës një kohë të gjatë po ndërmerren veprime procesuese, pas orientimeve nga PTHP NKOK. Gjatë ditës së sotme do të japim më tepër informacione, që janë në interes të publikut, por po kemi ndërmarrë veprime që janë në drejtim të privimit nga liria të personit që e përmendët”, tha Toshkovski.
Paraprakisht, Prokuroria Themelore për ndjekje të krimit të organizuar njoftoi mbrëmë është kryer aksion në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë.
“Nën udhëheqjen e prokurorit publik nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë, zyrtarë policie nga Departamenti për shtypjen e krimit të organizuar dhe të krimit të rëndë pranë Byrosë së Sigurisë Publike – Ministria e Punëve të Brendshme që nga mbrëmë kryen aktivitete në disa lokacione në Shkup dhe Kumanovë, për shkak të ekzistencës së dyshimit të arsyeshëm për krime me natyrë financiare dhe ekonomike. Më shumë detaje do të ndahen pas përfundimit të aktiviteteve në terren”, thanë nga Prokuroria.
Jozyrtarisht raportohet se gjatë bastisjeve janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në valuta të ndryshme, telefona celularë, laptopë, hard-disqe, si dhe dokumentacion tjetër përkatës.










