U ndalua me 1 milion euro të padeklaruara, kush është polici shqiptar që deshi të futet në Kosovë

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra inspektorin Aurel Kaziu, agjent i Policisë Kriminale në Komisariatin e Kamzës, pas njoftimit nga autoritetet e Kosovës për ndalimin e tij.

Sipas informacioneve zyrtare, Kaziu u arrestua një ditë më parë së bashku me dy persona të tjerë, pasi dyshohet se tentuan të fusnin nga Serbia në Kosovë rreth 1 milion euro të padeklaruara.

Policia e Shtetit tha zyrtarisht se pezullimi u vendos pas nisjes së hetimeve disiplinore për punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmësspecialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për shkelje të nenit 121, pika 2, germa “b”, “Përdorimi i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, dhe germa “dh”, “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

Më datë 24.02.2026, shtetasi A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni;

Krahas hetimit administrativ që po kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vijon hetimin penal ndaj Kaziut.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka vendosur ndalimin për 48 orë të policit shqiptar dhe dy shtetasve kosovarë, Etnik Ahmaxhokaj dhe Ardit Laska, të dyshuar për veprën penale të “pastrimit të parave”.

Automjeti tip furgon, që dyshohet se i përket Aurel Kaziut, u përzgjodh për kontroll të detajuar në pikëkalimin kufitar të Merdarës, bazuar në analizën e riskut.

Fillimisht mjeti u kontrollua me skaner me rreze X, ku u konstatuan ndërhyrje në dysheme, që sugjeronin një hapësirë të modifikuar.

Gjatë kontrollit të thelluar me pajisje fibroskopike, Policia Kufitare e Kosovës zbuloi pakot me para, të cilat pas numërimit rezultuan rreth 1 milion euro.

Autoritetet kosovare dhe shqiptare nuk kanë përcaktuar ende origjinën apo destinacionin e saktë të shumës së sekuestruar.

Dyshimet paraprake janë se paratë mund të lidhen me veprimtari të një grupi kriminal, i cili dyshohet se përdorte rrugë tokësore për transportimin e tyre në Shqipëri dhe Kosovë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu