U tha se ka tërhequr njohjen, Bajrami takon ambasadoren Jerary: Mirënjohës për përkrahjen e Libisë që në vitin 2013 njohu pavarësinë e Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami ka takuar sot ambasadoren e Libisë në këtë shtet, Amel Jerary, me të cilën ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.

Ambasada e Kosovës në Belgjikë në një postim në Facebook thekson se në një bisedë miqësore, të zhvilluar në ambasadën e Libisë në Bruksel, dy ambasadorët diskutuan zhvillimet aktuale dhe sfidat e veçanta me të cilat përballen Kosova dhe Libia, përpjekjet e dy vendeve për forcimin e demokracisë dhe shtetësisë, si dhe situatat e përgjithshme gjeopolitike edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimorë edhe në atë të Magrebit.

Posaçërisht u fol për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Libi, si në politikë dhe diplomaci ashtu edhe në fushat tjera.

Ambasadori Bajrami u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e Libisë, e cila në vitin 2013 e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe prej vitit 2015 kemi marrëdhënie diplomatike. Ai shtoi se tani është koha që këto marrëdhënie të funksionalizohen e thellohen më shumë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Në anën tjetër, ambasadorja Jerary citohet të ketë thënë se Libia e mirëpret vullnetin e Kosovës për bashkëpunim më të madh, sidomos në fushën e diplomacisë.

Ndërkaq, për takimin me ambasadoren e Libisë në Bruksel, Amel Jerary ka shkruar edhe vet ambasadori Bajrami.

“Thellimi i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Libisë ishte në qendër të bisedës shumë miqësore”, shkruan Bajrami.

Edhe ambasadori i Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi një ditë më parë ka bërë të ditur se ka takuar ambasadorin e Somalisë, Jama Abdullahi Mohamed me të cilin diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes dy shteteve, si dhe shkëmbyen pikëpamjet mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare.

Ndryshe, ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte thënë se nëntë shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas tij, këto shtete janë Somalia, Burkina Faso, Gaboni, Eswatini, Libia, Guinea, Antigua dhe Barbuda, Saint Lucia dhe Maldivet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu