Uashingtoni në alarm: Çfarë po përgatit Irani në zemër të Amerikës?

Irani po harton plane për të goditur anëtarë të administratës së Donald Trumpit në Uashington, duke përdorur një të ashtuquajtur bombë të pistë ose armë kimike.

Lajmi raportohet nga CNN, e cila citon shtatë zyrtarë të inteligjencës amerikane. Sipas tyre, Teherani po përpiqet të krijojë disa alternativa për realizimin e sulmeve të mundshme, por deri tani nuk ka të dhëna që një goditje të jetë e pashmangshme.

Planet e zbuluara nga shërbimet amerikane të inteligjencës janë mjaft të hollësishme dhe përfshijnë vendndodhje dhe objektiva konkrete.

Sipas CNN, zyrtarët amerikanë i kanë interpretuar këto informacione si një shenjë shqetësuese të prirjes së Iranit për të përshkallëzuar përplasjen me Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e inteligjencës, sugjerojnë se Teherani po planifikon në mënyrë aktive sulme të mundshme në territorin amerikan, megjithëse nuk ka ende asnjë tregues se është marrë një vendim për t’i vënë ato në zbatim.

Gjatë javës së fundit janë zhvilluar disa takime për të diskutuar mënyrat e përballimit të këtij kërcënimi. Planet iraniane kundër zyrtarëve amerikanë nuk janë të reja.

Ato janë shfaqur që gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, i cili vetë ka qenë në shënjestër të një komploti për eliminimin e tij.

Sipas informacioneve të inteligjencës, këto përpjekje janë përqendruar kryesisht në gjetjen e mundësive për të vrarë zyrtarë amerikanë gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit.

Edhe muajt e fundit, gjatë kthimit nga samiti i NATO-s, presidentit amerikan iu desh të ndërronte avion dhe të përdorte sërish Air Force One-in e vjetër.

Arsyeja lidhej me shqetësimet e sigurisë, të cilat e bënin të papërshtatshëm për udhëtimin presidencial avionin e dhuruar nga Katari.

Shtëpia e Bardhë: Nuk ka kërcënime të besueshme nga Irani

Pavarësisht paralajmërimeve të inteligjencës, Shtëpia e Bardhë përpiqet të shmangë alarmimin e publikut.

“Ne monitorojmë të gjitha kërcënimet e mundshme, por aktualisht nuk ka kërcënime të besueshme”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Lauren Bis, në një intervistë për CNN, duke komentuar informacionet mbi planet iraniane për përdorimin e një bombe të pistë kundër zyrtarëve të administratës Trump në Uashington.

Vance: Irani nuk do të kthehet në një luftë pa fund

Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance ka përjashtuar mundësinë që lufta në Iran të shndërrohet në një konflikt afatgjatë, siç kanë qenë ndërhyrjet e mëparshme ushtarake amerikane.

“Lufta në Iran nuk do të bëhet një tjetër luftë pa fund. Nuk do të jetë një angazhim dhjetë apo pesëmbëdhjetëvjeçar, por as një angazhim dyvjeçar”, deklaroi Vance në një intervistë për televizionin Fox.

Deklarata e tij vjen në një moment kur paralajmërimet për planet e mundshme iraniane në territorin amerikan, shtojnë shqetësimet për zgjerimin e konfliktit përtej kufijve të Lindjes së Mesme. \tesheshi.com\


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu