UEFA dhe ligat evropiane i kërcënojnë klubet e mëdha me përjashtim, shkaku i “Superligës Evropiane”

UEFA dhe ligat kryesore evropiane, Premierliga, LaLiga dhe Serie A, i kanë dënuar ashpër planet për krijimin e një Superlige Evropiane dhe kanë nënvizuar se do t’i përjashtojnë nga ligat e tyre përkatëse klubet që i bashkohen formatit të ri të Ligës së Kampionëve.

12 klube nga Anglia, Spanja dhe Italia ka kohë që janë duke mbajtur bisedime për krijimin e një formati të ri të ligës, i cili do t’i jepte fund Ligës së Kampionëve.

Besohet se gjashtë klubet kryesore të Premierligës, Manchester City, Manchester United, Liverpool, Arsenal, Chelsea dhe Tottenham, janë në mesin e klubeve që kanë nënshkruar për t’iu bashkuar formatit të ri, i cili funksiononte pa fazë kualifikuese apo rënie nga liga.

Por në një reagim të përbashkët, UEFA bashkë me ligat kryesore evropiane si, Premierliga, LaLiga dhe Serie A, e kanë quajtur cinik planin për krijimin e një Superlige Evropiane dhe kanë kërcënuar me pasoja të rënda.

“UEFA, Federata e Futbollit e Anglisë dhe Premierliga, Federata e Futbollit e Spanjës dhe La Liga, Federata e Futbollit e Italisë dhe Serie A kanë mësuar se disa klube angleze, spanjolle dhe italiane janë duke planifikuar të njoftojnë krijimin e një lige të tyre të mbyllur, të ashtuquajtur Superliga”, thuhet në reagimin e UEFA-s.

“Sikur kjo të ndodhë, ne dëshirojmë ta përsërisim se ne – UEFA, FA, RFEF, FIGC, Premierliga, Laliga dhe Serie A, por edhe FIFA dhe të gjitha vendet anëtare, mbesim të bashkuar në përpjekjet e tona për ta ndalur këtë projekt cinik, i cili është bërë bazuar në interesat vetjake të disa klubeve në një kohë kur shoqëria ka nevojë për t’u solidarizuar më shumë se kurrë më parë”.

“Në do t’i vlerësojmë të gjitha masat që i kemi në dispozicion, në nivel klubi, gjyqësore dhe sportive, për ta parandaluar një ndodhi të tillë. futbolli është i bazuar në garë të hapur dhe në meritë sportive: nuk mund të jetë ndryshe”, thuhet tutje në reagim.

“Siç e kanë thënë edhe FIFA dhe gjashtë federatat, klubet në fjalë do ta kenë të ndaluar të luajnë në çdo garë tjetër vendore, evropiane apo botërore, ndërsa lojtarëve të tyre do t’iu ndalohet të luajnë për ekipet e tyre kombëtare”, ka paralajmëruar UEFA, Premierliga, La Liga dhe Serie A.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu