Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbrojtur publikisht negociatat me Iranin, duke deklaruar se çdo marrëveshje e mundshme do të jetë “e mirë dhe e duhur”, ndryshe nga ajo e arritur gjatë administratës së ish-presidentit Barack Obama.
Në një postim në platformën e tij sociale, Trump sulmoi kritikët e tij dhe theksoi se marrëveshja që po diskutohet aktualisht nuk i jep Iranit rrugë për zhvillimin e armëve bërthamore.
“Nëse bëj një marrëveshje me Iranin, do të jetë një marrëveshje e mirë dhe e duhur, jo si ajo që bëri Obama, e cila i siguroi Iranit shuma të mëdha parash dhe një rrugë të qartë e të lehtë drejt një arme bërthamore”, shkroi Trump.
Ai shtoi se marrëveshja ende nuk është negociuar plotësisht dhe se detajet e saj nuk janë bërë publike.
“Marrëveshja jonë është krejt e kundërta, por askush nuk e ka parë ose nuk e di se çfarë përmban. As nuk është negociuar plotësisht ende”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump kritikoi ashpër kundërshtarët politikë, të cilët sipas tij po komentojnë pa ditur detaje konkrete të negociatave.
“Ndryshe nga paraardhësit e mi, të cilët duhet ta kishin zgjidhur këtë problem vite më parë, unë nuk bëj marrëveshje të këqija”, u shpreh ai.









