Ushtria e Azerbajxhanit ka hyrë në rajonin Lachin, i cili ishte nën pushtim nga forcat armene për 28 vite, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Sipas deklaratës trepalëshe të nënshkruar nga presidentët e Azerbajxhanit dhe Rusisë, si dhe kryeministrit të Armenisë, njësitë e ushtrisë së Azerbajxhanit më 1 dhjetor hynë në rajonin Lachin”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare për armëpushim.
Gjatë konfliktit 44-ditor, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe pothuajse 300 vendbanime dhe fshatra nga pushtimi armen.
Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.
Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr siç përcaktohet në marrëveshje.