Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, ka deklaruar në një intervistë për Tv A2 në Tiranë se zgjedhjet lokale të tetorit 2025 do të jenë një moment kyç për skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Ai paralajmëroi se opozita shqiptare, e bashkuar nën çatinë e Besëlidhjes Aleanca Kombëtare për Integrim, synon të arrijë një rezultat të jashtëzakonshëm.
“Sfida jonë është e qartë: të marrim numrin më të madh të komunave që sot drejtohen nga shqiptarët dhe të sjellim ndryshime reale në skenën politike. Besoj fort se kjo fitore do të reflektojë në të mirën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut,” – tha Limani.
Duke analizuar gjendjen aktuale të politikës shqiptare, ai shprehu shqetësimin se ndarja e forcave politike shqiptare mund të rrezikojë humbjen e disa komunave kyçe.
Sipas tij, ky rrezik do të shmanget vetëm përmes një bashkimi të sinqertë dhe një platforme të qartë që i shërben interesit të përgjithshëm kombëtar.
Limani theksoi se fitorja në këto zgjedhje nuk do të jetë vetëm një sukses elektoral, por një mesazh i fortë për forcimin e barazisë, demokracisë dhe përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet e vendit.