Punësimet në M-NAV, emërimet drejtuese në sektorin e kulturës dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin për Punët e Brendshme kanë ringjallur frikën për një partizim të mëtejshëm të institucioneve në Maqedoninë e Veriut.
Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, gjatë një ngjarjeje kundër korrupsionit në Shkup, u përpoq të qetësojë opinionin publik, duke deklaruar se qytetarët mund të jenë të sigurt se administrata publike do të jetë më e përgjegjshme, më profesionale dhe në shërbim të interesit publik, e jo nën ndikim personal apo partiak.
Megjithatë, situata në terren flet ndryshe. Në faqen zyrtare të Agjencisë për Administratë janë shpallur mbi 730 konkurse për punësime të reja – numri më i madh i shpalljeve ndonjëherë. “Të gjitha konkurset janë të hapura dhe transparente, me përzgjedhje të automatizuar dhe kritere objektive për përvojën, njohuritë dhe kompetencat teknike”, deklaroi Minçev.
Skandali në M-NAV
Reagimet më të mëdha i shkaktoi konkursi për punësime në ndërmarrjen shtetërore Makedonska Navigacija (M-NAV), ku sipas mediave u punësuan persona të afërt me partinë në pushtet, përfshirë bashkëshortin e një funksionareje aktuale dhe figura udhëheqëse në strukturat rinore të VMRO-DPMNE.
Sipas SDK.mk, ndër të punësuarit janë: Ivana Jug (bashkëshortja e të ndjerit Igor Jug, i dënuar për ngjarjet e dhunshme në Kuvend më 27 prill 2017), Atanas Stamnov (bashkëshorti i drejtoreshës së Regjistrit Qendror), dhe Filip Gjorgjiev (nënkryetar i Unionit të të Rinjve të VMRO-DPMNE).
Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror paralajmëroi rikthimin e grevës nga 10 korriku nëse nuk anulohet konkursi i fundit dhe nuk zbatohen pikat e marrëveshjes së vitit të kaluar.
A po partizohet policia?
Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për punësimin e 150 policëve në prag të zgjedhjeve lokale, dhe paralelisht po përgatiten ndryshime të ligjit për policinë, që sipas opozitës SDSM, rrezikojnë të shkatërrojnë sistemin profesional dhe të hapin rrugën për emërime partiake.
Sipas SDSM, me ndryshimet:
• Hiqen kriteret për përvojë pune për pozita drejtuese si shef i sektorit (SVR),
• Lejohet punësimi i personave pa përgatitje përkatëse dhe pa përvojë,
• Fshihen të dhëna nga evidencat zyrtare pas 60 vitesh,
• Rritet mosha për punësim në polici në 30 vjeç,
• Dhe më skandalozja: me fshirjen e nenit 19, u hapet rruga të dënuarve të vazhdojnë punën në polici pa asnjë pasojë.
Kultura në shënjestër
SDSM akuzon gjithashtu për partizim të skajshëm në sektorin e kulturës. Emërimi i Ali Sinanit si drejtor i Galerisë Kombëtare është cilësuar si “kapje politike” dhe si një hap që rrënon integritetin profesional të institucioneve kulturore.
Sindikata e Kulturës reagoi duke theksuar se “kultura nuk është kuotë politike” dhe se drejtuesit duhet të përzgjidhen sipas meritës profesionale dhe jo përkatësisë politike apo etnike.
VMRO-DPMNE, në anën tjetër, i hodhi poshtë akuzat, duke deklaruar se është pikërisht SDSM ajo që e ka kthyer MVR-në në biznes familjar gjatë qeverisjes së saj dhe se tani po mundësohet hapja e institucioneve për profesionistët që më parë ishin margjinalizuar për shkak të bindjeve të tyre politike./DW