Varheji: Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të gjejnë zgjidhje për dallimet, KE-ja do të ndihmojë aq sa mundet

Në interes të Bullgarisë dhe Maqedonisë të Veriut është që të gjejnë zgjidhje për çështjet që shkaktojnë mosmarrëveshje. Pa dhënë shpjegime do të jetë shumë e vështirë që gjërat të ecin përpara. Ky është momenti për të arritur marrëveshje, deklaroi sot komisionari i zgjerimit të BE-së Oliver Varheji në konferencën e përbashkët të shtypit në Shkup me nikoqirin e tij, kryeministrin Zoran Zaev.

“Shoh përkushtim nga Zaevi dhe Borisovi dhe shpresoj se ata do të kenë sukses në gjetjen e zgjidhjes dhe me sa di po punojnë në të. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi nëse mund të ndihmojmë në këtë proces. Që të gjendet zgjidhje nuk është e pamundur. Nuk do të dramatizoja shumë për këtë çështje, por gjithsesi është çështje serioze”, tha Varheji në pyetjen e gazetarëve nëse mendon se për çështjet e identitetit si gjuha mund të diskutohen dhe të kërkohen zgjidhje.

I pyetur nëse Bullgaria është e vetme në kërkesat e saj ose nëse ka vende të tjera që e mbështesin atë, kur korniza e negociatave të finalizohet dhe nëse vendi do të fillojë negociatat deri në fund të vitit, Varheji tha se procesi i negociatave tashmë ka filluar dhe KE-ja duhet të marrë mbështetjen e secilit shtet anëtar.

“Shpresojmë se do të jemi në gjendje të vazhdojmë sipas planit dhe brenda presidencës gjermane të jemi në gjendje të mbajmë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Tani jemi duke punuar për këtë. Ka çështje të tjera që duhet t’i përfshijmë. Unë jam i vetëdijshëm për ndjeshmërinë. Do të doja t’ju kërkoja durim. Sepse diplomacia funksionon. Ne e kemi parë atë me Marrëveshjen e Prespës dhe në çështje të tjera serioze të ngjashme. Ne të gjithë besojmë se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis Maqedonisë të Veriut dhe Bullgarisë do të çojnë në zgjidhjen e çështjes”, tha komisionari i BE-së për Zgjerim.

Ai theksoi se raporti është konfirmim që të gjitha kushtet për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare janë përmbushur dhe tani mbetet të sillet vendimi për të miratuar kornizën e zgjerimit me rregullat dhe parimet për negociata.

“Ky është vendim që Këshilli do të marrë, kështu që ne po lëvizim sipas planit”, tha Varheji.

Nga ana tjetër, kryeministri Zaev, kur u pyet nga gazetaret, tha se vendi ka përgatitur projekte që do të zbatohen me paratë nga Plani evropian i Investimeve për Ballkanin Perëndimor të KE-së me vlerë prej 9 miliardë euro me parashikim prej 20 miliardë euro të tjera.

“Sot vërtet besoj se jetojmë në momentin kur kemi para specifike evropiane përmes IPA 3 për projekte konkrete që janë jetike për të gjithë qytetarët. Këto para janë pranuar nga pjesa e planit tonë në përputhje me strategjinë e qeverisë. Këto janë: autostradat, hekurudhat, rrjeti i gazit, pikat e karburantit, projektet energjetike. Këtu është stacioni i pastrimit në Qytetin e Shkupit, mbështetja e ndërmarrjeve vendore – e gjithë kjo është përparësi e Qeverisë. E mira është se komisionari i BE-së së bashku me ekipin e tij u përpoqën të përfshinin të gjitha planet tona në pakon e investimeve për Ballkanin Perëndimor”, tha Zaev.

Nëntë miliardë euro për të gjithë rajonin, sipas tij, do të nënkuptojë kohezion, lidhje dhe konfirmim të kapaciteteve për zbatimin e këtyre projekteve.

“Projektet janë gati. Ambicia për zbatim është katër vitet e ardhshme gjatë mandatit të Varhejit dhe kësaj Qeverie dhe shpresoj se do të kemi mundësi së bashku me Varhejin të fillojmë të gjitha këto projekte për të lidhur qytetet tona dhe rajonin. Maqedonia e Veriut është e gatshme me këto projekte dhe besoj se do të jemi shembull pozitiv në demonstrimin e përgjithshëm të implementimit dhe do t’i arsyetojmë këto mbështetje përmes reformave që jemi zotuar t’i përfundojmë në periudhën tjetër”, tha Zaev.

Komisionari i BE-së Varheji i cili është sot për vizitë njëditore në vend do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë të Veriut, do të ketë drekë pune me presidentin Stevo Pendarovski dhe do të takohet me liderin e opozitës Hristijan Mickoski. Vizita në Shkup, një ditë pas prezantimit të raportit vjetor mbi procesin e reformës së vendit në Bruksel është pjesë e turneut të tij rajonal ku pika e dytë është Shqipëria.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu