Varhely: BE-ja ka një plan investimi prej 30 miliardë eurosh në rajon

Varhely: BE-ja ka një plan investimi prej 30 miliardë eurosh në rajon
Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Oliver Varhely, ka folur për Samitin i cili është mbajtur sot në Tiranë mes liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Në fjalën e tij, ai tha se Bashkimi Evropian ka një plan për investime prej 30 mld euro në rajon, që do të financohet nga BE.

Varhely ka thënë se ka parë angazhim të madh të këtyre udhëheqësve.

“Ne e shikojmë një angazhim të madh të këtyre udhëheqësve, e pamë edhe pas angazhimit për krijimin e tregut rajonal. Nuk kemi arritur atje ku dëshirojmë por duhet të arrijmë atje deri në korrik kur të kemi samitin tjetër. Shohim edhe rezultatet e para me lansimin e marrëveshjes pa tarifa roaming në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të ketë edhe lehtësira tjera si lëvizja e qytetarëve me karta identiteti.

“Ne jemi të gatshëm ta konfirmojmë angazhimin tonë. Nuk ka kuptim ndërtimi i autostradave nëse automjetet e transportit do të ndalen në kufi. Ky plan ekonomik do të japë rezultatet e veta dhe rajoni do të punojë për këtë treg rajonal. Ne në BE kemi një marrëveshje për financimin e këtij plani. Kemi marrëveshje për IPA3. Ne jemi më së të gatshëm të fillojmë me këtë plan. Ne po hyjmë në një muaj kritik për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ai.

Në konferencën për shtyp bashkë me komisionerin Varhelyi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fol për diskutimet e bëra nga liderët e rajonit në këtë samit të Tiranës.

“Është i një rëndësie të veçantë për 2 arsye, e para për një proces që duhet të ecë përpara që lidhet me lehtësimin e 4 lirive të Evropës në rajonin tonë. Dhe e dyta sepse ky proces tashmë është mbështetur me një paketë financiare në kuadër të një plani ekonomik dhe investimesh në BE që për nga volumi i fondeve të vëna në dispozicion nga BE është unik. Më në fund takimi nuk ishte virtual sepse ne kemi mundësinë që t’i mirëpresim miqtë tanë pa masa shtrënguese. Besoj se edhe komisioneri, edhe delegacioni nga Brukseli, ndihet mirë që maskat e Brukselit i hoqi në Tiranë. Tashmë gjërat janë konkrete, planet e punëve janë konkrete. Bashkimi Evropian dhe KE e kanë bërë të veten. Tani na takon neve të bëjmë tonën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se mbeten të vendosur për projektin e Shengenit Rajonal, i cili sipas tij është një projekt strategjik, me përfitim ekonomike, sociale por edhe politike për të gjithë rajonin tonë.

“Sinergjia me BE-në tashmë është e plotë. Procesi i Berlinit ishte zanafilla dhe ne shpresojmë që ky proces të shkojë në duart e Komisionit Europian me dëshirën dhe ambicien që takimi i korrikut të jetë i fundit me formatin e deritanishëm dhe vitin e ardhshëm të jetë format nën kujdesin e KE me praninë edhe të vendeve të BE-së“, tha Rama ndër të tjera.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu