Para gjykatës penale në Shkup ka vazhduar protesta e përkrahësve të VMRO-DPMNE-së edhe në orët e mbrëmjes. Protestuesit thonë se “kjo natë do të jetë e gjatë”.
Në këtë video të huazuar nga Radio Evropa e Lirë, mund të dëgjoni fjalimin e njërit prej protestuesve i cili kërkon nga presidenti Ivanov që të amnistojë të arrestuarit, shkruan Gazeta Lajm, kurse në prapavijë dëgjohen edhe thirrje që të “derdhet gjak”, që asocon me thirrje për dhunë.
Aksioni i sotëm policor, sipas liderit të VMRO-DPMNE-së është tentim për të defokusuar vëmendjen e publikut nga një sërë vrasjesh dhe vjedhjesh që po ndodhin pothuajse çdo ditë, prej kur në pushtet është LSDM-ja.
Arrestimin e deputetëve dhe personave të afërt me partinë e tij, Nikolla Gruevski e cilësoi si “akti i fundit i larjes së hesapeve me maqedonasit me mendje të lirë” sepse – shton – gjithnjë e më shumë qytetarëve janë kundër shkatërrimit të shtetit, gjë që – sipas tij – po tenton ta bëjë pushteti aktual.
Në reagimin me shkrim të LSDM-së thuhet se institucionet duhet të veprojnë në pajtim me ligjet, ndërsa me këtë, të kërkohet llogari prej të gjithë të përfshirëve në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend.
“Në këtë kohë dhe periudhë të errët, ne do të jemi zëri i atyre që ndjejnë frikë, të cilën me bollëk po e servon kjo qeveri që nuk punon për qytetarët. Ne do të jemi në mbrojtje të atdheut dhe në mbrojtje të lirisë dhe mendimit të lirë të qytetarëve”, tha Nikolla Gruevski, kryetar i VMRO-DPMNE.










