Vazhdon numërimi i votave në Shqipëri, kryeson Partia Socialiste me në krye Edi Ramën

Në Shqipëri vazhdon procesi i numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare, ku nga numërimi i rreth 50 për qind të votave kryeson partia në pushtet, Partia Socialiste (PS), e drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga 2.074 qendra të numëruara, nga 5.225 në total, PS është në avantazh me 52.49 për qind të votave.

Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, “Partia Demokratike dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore- PD-ASHM “, renditet i dyti me 34.40 për qind.

Sipas të dhënave të publikuara në uebfaqen e KQZ-së, Partia Socialdemokrate renditet e treta me rreth 4 për qind të votave.

Ndërkohë, pjesëmarrja në zgjedhje, sipas të dhënave nga qendra 3.037 të përpunuara është 42.21 për qind.

Në Shqipëri të dielën u mbajtën zgjedhjet parlamentare, ku u votua për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 mandate.

Të drejtën e votës e kishin 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit. Risia kryesore e zgjedhjeve ishte votimi nga jashtë Shqipërisë, pasi për herë të parë votojnë edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Procesi i votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit filloi më 15 prill 2025 në rrugë postare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu