Trajko Veljanovskit nuk i merret imuniteti i deputetit. I gjykuari mbi dyshimet për organizimin e 27 prillit të përgjakshëm, do të mbrohet në liri.
Pas dështimit të një dite më parë për të votuar në kohë për imunitetin e Veljanovskit, kreu i Kuvendit Talat Xhaferi fajin e hodhi te deputetët, konkretisht te deputeti i LSDM-së Muhamet Zekiri.
Xhaferi nuk pranoi të ketë shkelur me qëllim afatin, duke thënë se ai nuk mbron askënd, aq më pak ata që kanë probleme me ligjin.
Zekiri kondërshtoi akuzat e Xhaferit dhe ngriti pyetjen për një koordinim të mundshëm mes kryeparlamentarit dhe VMRO-DPMNE-së.
Pas situatës së krijuar në seancën e fundit, koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së Jovan Mitrevski njoftoi se ata nuk do të marrin pjesë në koordinimet e mëtejme, për aq kohë sa Xhaferi nuk sqaron situatën dhe për aq kohë sa organet e partisë nuk vendosin për hapat e ardhshëm.
BDI-ja, e gjendur në qendër të akuzave për shkak të mos-pjesëmarrjes së deputetit të saj gjatë votimit në Komisionin amë për imunitetin e Veljanovskit, fajëson kreun e Komisionit Pavle Bogoevski. Komisioni për çështje të imunitetit, në mungesë të anëtarit të BDI-së, kishte votuar me 4 vota “për” dhe 4 “kundër” dhe nuk kishte një propozim konkret për Kuvendin.
Bogoevski, nga ana tjetër, sqaroi votimin në Komision dhe ngriti dilema mbi një skenarë të mundshëm koodinimi BDI-VMRO.
Akuzat dhe kundërakuzat hodhën dritë mbi mundësinë e një krize mes koalicionit të shumicës, gjë të cilën disa nga deputetët tërthorazi e pranuan. Përveç mos-heqjes së imunitetit të Veljanovskit, Kuvendi do të njoftojë gjykatën edhe për mos-heqjen e imunitetit të deputetit tjetër të VMRO-së Lupço Dimovski, për të cilën seancë po ashtu kanë skaduar afatet ligjore. Veljanovski gjykohet me akuzën për organizim të 27 prillit, në kohën kur drejtonte seancën konstituive si ish kryeparlamentar.
VIDEO:










