Vendet anëtare të BE-së deri sot në mesditë e finalizojnë listën e vendeve për të cilat i hapin kufijtë

Vendet anëtare të BE-së deri sot në mesditë duhet të prononcohen me shkrim për listën e vendeve, për të cilat nga 1 korriku kufizimet nuk do të vlejnë më për udhëtime në vendet e zonës Shengen.

Javën e kaluar, vendet-anëtare hartuan një “projekt listë” të 15 vendeve, qytetarët e të cilëve nga nesër do të mund t’i kalojnë të papenguar kufijtë e jashtëm të BE-së.
Nëse asnjë nga 27 vendet-anëtare nuk voton kundër deri në mesditë, lista do të konsiderohet e miratuar.

Komisioni Evropian ka sugjeruar që Ballkani Perëndimor të jetë në krye të listës, duke përmendur lidhjet e ngushta të BE-së dhe politikën për integrimin e rajonit.

Deri më tani, vetëm Serbia e Mali i Zi ndodhen në listën paraprake të 15 vendeve, së bashku me Algjerinë, Australinë, Kanadanë, Gjeorgjinë, Japoninë, Marokun, Zelandën e Re, Ruandën, Korenë e Jugut, Tajlandën, Tunizinë, Uruguajin dhe Kinën.

Nga ana tjetër, Shqipëria, BeH-ja, Maqedonia e Veriut dhe Kosova raportohet se kishin më shumë se 25 raste për 100,000 banorë deri më 15 qershor, ndërsa mesatarja e BE për këtë periudhë ishte 13 raste të regjistruara të Kovid-19 për 100.000 banorë.

BE thotë se do ta azhurnojë këtë listë çdo dy javë, sipas të dhënave më të fundit epidemiologjike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu