Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kanë reaguar pas vendimit të GJKKO për sekuestrimin e dy pasurive.
Avokatët theksojnë se s Erion Veliaj dhe as Ajola Xoxa nuk janë pronarë të pasurisë së sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
“Z. Veliaj dhe Znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse”, citohet në reagimin e tyre.
Avokatët theksojnë gjithashtu se çdo hetim duhet të bazohet në fakte dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë.
Reagimi i avokatëve:
Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:
As Erion Veliaj dhe as Znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kesaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”.
Pasuria e paluajtshme në pronësi të Z. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
Z. Veliaj dhe Znj. Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse.
Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Z. Veliaj, për cka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim të krijuar komshinjve të çiftit Veliaj Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre është se banojnë në të njëjtin pallat me këto të fundit.
Pas kërkesës së SPAK, GJKKO vendosi sot sekuestrimin e dy pasurive të çiftit.
Në deklaratë theksohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri, njëra prej të cilave shtesë pasurie, të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, ku aktualisht ata jetojnë.