Të shtunën që lamë pas, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, duke miratuar edhe listat e kandidatëve për deputetë të të gjitha partive, përveç Listës Serbe. Kundër Listës Serbe votuan përfaqësuesit e LVV-së, ndërsa partitë e tjera shqiptare abstenuan. Ky veprim është përcjellë me shqetësim nga faktori ndërkombëtar. Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, në një përgjigje për RTV21, veprimet e anëtarëve të KQZ-së i ka cilësuar si cenim të parimit themelor të demokracisë, që dëmton partneritetin SHBA–Kosovë.
“Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos miratuar publikimin e rezultateve zgjedhore për Listën Serbe është në kundërshtim me të drejtën demokratike të qytetarëve të Kosovës për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Çdo veprim që cenon këtë parim themelor të demokracisë rrezikon të dëmtojë partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke minuar standardet demokratike dhe besimin në procesin zgjedhor.”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.
Mosmiratimi i rezultateve të Listës Serbe në KQZ është parë me shqetësim edhe nga Bashkimi Evropian. Ky union, përmes një reagimi, ka vlerësuar se depolitizimi i KQZ-së është i domosdoshëm, duke kërkuar që të gjithë të zgjedhurit e popullit ta kenë ulësen e tyre të garantuar në Kuvend.
“BE shpreh shqetësim serioz për dështimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për miratimin e rezultatit final për Listën Serbe në zgjedhjet e fundit parlamentare. BE-ja përsërit thirrjen për depolitizimin e punës së KQZ-së, në përputhje me raportin e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve, dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të punojnë së bashku në përputhje me Kushtetutën. Është e rëndësishme që të gjithë deputetët e zgjedhur të marrin ulëset e tyre në Kuvendin e ri të Kosovës.”
Lista Serbe të hënën ka ushtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. PZAP-ja ka bërë të ditur për RTV21 se është duke shqyrtuar shtatë ankesa, në mesin e tyre edhe atë të përfaqësuesve serbë. Sipas sqarimeve ligjore, PZAP-ja ka në dispozicion deri në 96 orë për shqyrtim nga dita e deponimit të ankesës. Pas shpalljes së vendimit të PZAP-së, ankuesit kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Supreme, e cila ka afat prej 72 deri në 96 orë për shqyrtim. Sipas këtyre afateve ligjore, procesi i certifikimit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit mund të zgjasë deri në mesin e javës së ardhshme.
Politologu Albinot Maloku veprimet e subjekteve politike i cilëson si politike, me ndikim serioz në raprtet me aletatët.
“Praktika ku KQZ nuk voton shpalljen përfundimatare për të gjitha subjektet politik duke e ndarë një është e re. Gjithsessi konotacioni tashmë dihet se është politik. Pa një mbulesë as të praktikave por edhe të aspektit ligjor të ndodhur në praktiken tonë të pas zgjedhjeve në Kosovë.”, tha Maloku.
Po ashtu Maloku vlerëson se veprimet e pamatura të përfaqësuesve politik brenda KQZ-së po e prishin edhe procesin zgjedhor që do të duhej të kishte përmbyllje të mirë.
“Subjeket politike të cilat marrin pjesë në proces zgjedhor atëherë edhe rezultati i tyre duhet të certifikohet. Këto veprime janë jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën dhe për lëndimin e proceseve zgjedhore.”, tha Maloku.
Ndërsa KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare, po vazhdojnë hetimet dhe intervistimi i komisionerëve nëpër komuna për manipulim me vota./RTV21










