Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe në rrjetin social fejsbuk ka thënë se fotot që u shfaqën dje në rrjetet sociale, ku shumë njerëz shihen duke shënuar festën nëpër tempuj fetarë, sipas tij janë shqetësuese. Ai thekson se përkundër apeleve që të mos ketë tubime masive, kjo nuk ka ndodhur.
“E respektoj festimin dhe fuqishëm besoj se këto janë ngjarje të rëndësishme për të gjithë ne, pa dallim cilës fe i përkasim. Por, këtë vit festat në tërë botën festohen në një mënyrë tjetër, duke e vendosur shëndetin në rend të parë dhe të bashkëqytetarëve para se gjithash dhe mbi gjitha.
Koronavirusi as nuk ka vdekur dhe as nuk është larguar. Ai është këtu dhe për fat të keq, problemi do të stërgjatët nëse do të ketë të atillë që injorojnë. Shumë herë e kam thënë dhe po e them: punëtorët shëndetësorë nuk munden vet. Masat janë të mira dhe me kohë, por ato funksionojnë nëse respektohen, në të kundërtën nuk kanë efekt”, ka shkruar Filipçe.










