Me vetëm dy tenderë komunës së Tetovës i dalin nga arka 1.5 milionë euro (VIDEO)

Me vetëm dy tenderë të shpallur, nga arka e komunës së Tetovës do të dalin mbi 1 milion e gjysmë euro (1 608 095 euro). Pak ditë pasi që iu vazhdua mandati kryetares së Tetovës Teuta Arifi, komuna përsëri ka kontraktuar tenderë të majmë për modernizimin e sistemit të ndriçimit publik dhe për riparimin e disa objekteve infrastrukturore.

Vetëm për modernizimin e sistemit të ndriçimit në qytet, komuna e Tetovës ka harxhuar mbi 1 milion euro. Tenderin e ka fituar kompania “Iskratel” nga Shkupi e cila ka qenë në garë edhe me dy firma të tjera. Meqë dokumentacioni i tenderit të kontraktuar nuk është publikuar, nuk është e qartë nëse modernizimi do të bëhet në gjithë qytetin e Tetovës ose vetëm në ndonjë pjesë të caktuar.

Për dallim prej tenderit për ndriçim në të cilin kishin garuar tre firma, në tenderin për riparimin e disa objekteve infrastrukturore ka patur vetëm një firmë konkurruese e cila e ka fituar tenderin.

Firma “NB-Kompani” nga Tetova e cila paraqitet në shumicën e tenderëve për punime infrastrukturore do të riparoj objektet për 300 mijë euro. Por në Byronë Për Furnizime Publike nuk shkruan se cilat objekte do të sanohen dhe për çfarë intervenimesh bëhet fjalë. Kontrata është lidhur më 12 maj ndërsa është publikuar më 5 qershor.

Në vijim është edhe një tender i publikuar më 8 qershor për revizion të një plani urbanistik i cili kushton 3200 euro. Do të bëhet revizion i planit urbanistik për ndërtimin e Stacionit të ringarkimit dhe përpunimit të mbeturinave komunale, dhe për ndërtimin e Stacionit të pastrimit të ujërave të zeza.

Nga Komuna e Tetovës shpjegojnë se ndriçimi bëhet me kofinancim prej 40 përqind të Republikës së Sllovenisë dhe se komuna paguan 60% nga shuma e përgjithshme e harxhimeve. Ata thonë se kjo ide e modernizimit është iniciuar që në vitin 2014 dhe tani i ka mbetur vetëm realizimi.

“Ky është një projekt i vjetër që bëhet me kofinancim të Republikës së Sllovenisë. 40% të projektit e financojnë ato. Ndriçimi do të bëhet në tre rrugë, në gjatësi prej 2,3 kilometrave”, kanë thënë nga Komuna e Tetovës.

Ndërsa sa i përket harxhimeve për riparimin e objekteve, ata thonë se kjo shumë është në kuadër të një fondi të projektuar cili shërben për punime të paparashikuara nëpër qytet dhe jo rrallë herë ndodhë që buxheti i destinuar për këto punime të mos shfrytëzohet tërësisht.

“Ato janë punime intervente. Kjo është marrëveshje kornizë e komunës dhe është tender i cili hapet çdo vjet. Aty hyjnë gjëra e paparapara. Vlera e përgjithshme është 69 milion denarë por nuk ndodhë shpesh që të harxhohen të gjitha paratë e parapara. Bëhet intervenim i shpejtë nëpër shkolla, rrugë e të tjerë. Realisht nga këto para mund të harxhohen 20 deri në 30 milion denarë”, thonë nga komuna e Tetovës.

Kujtojmë se pak ditë para skadimit të mandatit të Teuta Arifit, Komuna e Tetovës ka shpërndarë mbi 1 milion euro për tenderë të ndryshëm. Mbi 10 mijë euro janë ndarë për produkte ushqimore për nevojat e komunës, 250 mijë euro për mbulimin e gropave dhe mbi 1 milion euro për sanimin e disa objekteve. Sikurse në tenderat e tanishëm, firma “NB Kompani” paraqitet si ekzekutuesi më i shpeshtë i punimeve infrastrukturore.


(VIDEO) Me vetëm dy tenderë komunës së Tetovës… by tvshenjaofficial


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu