Vetëm një gabim “na ndan nga apokalipsi”, paralajmëron Guterres

Njerëzimi “po luan me një armë të mbushur”, ka paralajmëruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres. Dhe shqetësimi i tij janë burimet e hapura të konfliktit në rajone të ndryshme dhe përhapja bërthamore, me më shumë se 13,000 armë atomike që ekzistojnë aktualisht në botë.

Në përvjetorin e bombardimit atomik të Hiroshimës, ai donte të lëshonte paralajmërimin se vetëm një keqkuptim ose një llogaritje e gabuar “na ndajnë nga apokalipsi”, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Krizat me ngjyrime serioze bërthamore po përhapen me shpejtësi: nga Lindja e Mesme në Gadishullin Korean deri në pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Është krejtësisht e papranueshme që shtetet me armë bërthamore të pranojnë mundësinë e luftës bërthamore. Mesazhi im për ta është i thjeshtë: opsionin për armë bërthamore mbajeni jashtë tryezës përgjithmonë”, tha Guterres.

Ai vuri në dukje, megjithatë, se ka “shenja shprese” siç është konferenca e dhjetë e rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT) që është mbajtur në Kombet e Bashkuara që nga fillimi i muajit, dhe nga anëtarët e së cilës ai kërkoi “Të punojmë urgjentisht për të eliminuar të gjithë arsenalet bërthamore që kërcënojnë të ardhmen tonë”.

Ndryshe, sulmi i parë atomik në histori, i kryer nga Forcat Ajrore të SHBA më 6 gusht 1945, la rreth 140,000 viktima. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu