Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka quajtur veton e vendosur ndaj vendit nga Bullgaria për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian (BE) si një “gabim të papërgjegjshëm gjeo-strategjik”, duke theksuar se e “ardhmja maqedonase është evropiane“. Pas takimit të sotëm të Këshillit të Ministrave në Bruksel, që përfundoi pa miratimin e kornizës negociuese për Maqedoninë e Veriut, kjo praktikisht do të thotë se vendi nuk do të fillojë negociatat e pritshme për anëtarësim në BE.
Me këtë rast, qeveria e Maqedonisë së Veriut ka reaguar përmes një deklarate me shkrim. “Bullgaria vendosi veton në fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së dhe me këtë ndaloi rruga e integrimit tonë evropian, për të cilin në mënyrë të përsëritur institucionet e BE-së dhe veçmas të gjitha vendet e tjera anëtare, përfshirë edhe Bullgarinë, kanë konfirmuar se ne plotësisht i konfirmojmë kushtet“, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Më tej, theksohet se vendi nuk do të “heq dorë nga e drejta e vetëvendosjes së qytetarëve maqedonas që është garantuar nga Karta e OKB-së, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Traktati i Lisbonës si bazë kushtetuese e BE-së dhe vlerat themelore të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut“.
“Identiteti kombëtar maqedonas nuk ishte, nuk është dhe është e pamundur të jetë subjekt i negociatave. Populli maqedonas dhe gjuha maqedonase janë shtyllat e identitetit maqedonas. Ata vijnë nga e kaluara dhe në të njëjtën kohë janë shtylla e së ardhmes sonë evropiane. Fatkeqësisht, procesi i zgjerimit si një qëllim strategjik i BE-së u ndal nga Bullgaria si anëtare e BE-së. bëhet fjalë për një gabim të papërgjegjshëm dhe të rëndë gjeo-strategjik“, tha qeveria.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut kujton se në mars të këtij viti, Këshilli i BE-së dha një dritë jeshile unanime për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut. “Të gjitha vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për këtë, duke përfshirë edhe Bullgarinë. Në një raport të jashtëzakonshëm pozitiv nga Komisioni Evropian mbi progresin e reformës, ne jemi më mirë se vendet e tjera kandidate dhe madje edhe para disa vendeve që tashmë janë duke negociuar. Rezultatet, aftësitë tona dhe gatishmëria jonë për të filluar negociatat janë të padiskutueshme“, thuhet më tej në njoftim.
Sipas qeverisë së Maqedonisë së Veriut, mosmiratimi i kornizës së negociatave është në dëm të parimeve themelore dhe vlerave të BE-së.
“Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do të lejojë që reformat e brendshme të ngecin. Përkundrazi, ne do të përshpejtojmë ritmin dhe do të rrisim avantazhin në reformat demokratike që kemi në rajon. Qeveria mbetet në të njëjtën rrugë strategjike. Ne kemi dorëzuar anëtarësimin e plotë në NATO dhe do ta lëvizim vendin drejt BE-së. Obligim i yni është të ndërtojmë standarde evropiane brenda. Nuk ka rrugë tjetër për ne, nuk ka asnjë alternativë tjetër. E ardhmja maqedonase është evropiane“, theksoi qeveria.
Kujtojmë se më 17 nëntor, në takimin ministror të vendeve anëtare të BE-së, Bullgaria vendosi veto ndaj kornizës negociuese të Maqedonisë së Veriut për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Duke njoftuar veton, ministrja bullgare e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zaharieva, në atë kohë deklaroi se “një shtet i bazuar në një ideologji armiqësie ndaj Bullgarisë nuk ka vend në BE“. Në prag të vendimit për të filluar negociatat midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 16 shtator Bullgaria u dërgoi një memorandum shpjegues vendeve anëtare të bllokut, i cili përbëhej nga gjashtë faqe me shpjegime të gjata historike të “ideologjisë shtetërore anti-bullgare” në Maqedoninë e Veriut.









