Kuvendi i Kosovës pritet të vazhdojë të dielën seancën për zgjedhjen e presidentit të vendit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë të shtunën se seanca do t’i vazhdojë punimet më 4 prill në orën 17:00.
Në takimin e sotëm me deputetin Adem Hoxha nga Partia Unike e Goranëve (Jedinstvena Goranska Partija), Kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen dhe votën e këtij deputeti në seancën e sotme të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit.
Marrëveshja mes Kurtit dhe deputetit Hoxha është arritur para pak çastesh në një takim të zhvilluar mes tyre në Prishtinë.
Ndonëse, nuk janë bërë të ditura detajet e marrëveshjes, zyrtarë të Partisë Unike të Granëve kanë bërë të ditur, se deputeti Hoxha ka reflektuar, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë në të cilën gjendet vendi si pasojë e pandemisë.
“Për shkak të gjendjes së rëndë me pandeminë dhe ekonominë dhe duke mos dashur të bllokojmë krijimin e institucioneve nuk dëshirojmë ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Prandaj, do të marrim pjesë në seancën ku do të votohet për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë zyrtari i kësaj partie.
Të shtunën, për shkak të mungesës së kuorumit në votim, Kuvendi nuk arriti të zgjedh presidentin e vendit. Në garë për president, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar Vjosa Osmani- Sadriu. Ndërkaq, kundërkandidati i saj është Nasuf Bejta.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Në këto dy votime morën pjesë 78, përkatësisht 79 deputetë. Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet. I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit.
Të pranishëm në sallë në seancën e së shtunës ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.










